Avokatët “unifikohen” të mërkurën, Dhoma Kombëtare thërret mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit

Avokatët janë bashkë kundër hartës së re gjyqësore, por të ndarë për mënyrën si duhet kundërshtuar. Një pjesë në bojkot dhe një pjesë në punë. Ndaj Dhoma Kombëtare e Avokatisë do të mbledhë të mërkurën Këshillin e Përgjithshëm ku do të dalë me një qëndrim të detyrueshëm për të gjithë.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë do të vendosë të mërkurën për mënyrën si do të vijojë protesta kundër hartës së re gjyqësore që mbrojtësit ligjore kundërshtojnë.

"Nëse vendimi i Këshillit të përgjithshëm do të jetë bojkot ai do të zbatohet dhe është i detyrueshëm për zbatim në gjithë Republikën."

Nga Shkodra, Maks Haxhia e kishte një përgjigje edhe për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili e cilësoi të papranueshëm bojkotin e avokatëve.

"Ministri flet nga pozicioni i tij. Po të ishte avokat dhe të ishte me komunitetin tonë, do të fliste ndryshe."

Nëse qeveria shqiptare i ndez dritën jeshile hartës së re gjyqësore të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, Dhoma e Avokatisë paralajmëron se do ta godasë në Kushtetuese.

"Kemi ngritur dhe grupin e punës që krahas kësaj të marrim masat që nëse kjo hartë do të miratohet ta bëjmë prezente dhe në Gjykatën Kushtetuese si antikushtetuese. Edhe pse jam i bindur se qeveria me konstruktivitetin e vet nuk do të gabojë që të marrë një hartë të tillë."

Revola e avokatëve kundër hartës së re gjyqësore është shtrirë prej dy javësh në të gjithë vendin edhe pse në forma të ndryshme.

Këtë të enjte, protesta u zhvendos në Krujë.

"Kjo gjykatë duhet të jetë pjesë e hartës së re gjyqësore dhe kjo është për interes të qytetarëve."

Mbrojtësit ligjorë në Shkodër, Vlorë e Lezhë për dy ditë bojkotuan masat e sigurisë, vendim që më datat 24-25 qershor do ta zbatojnë edhe avokatët në Korçë.

EMISIONET