"Arrest me burg" për specialisten e AKSHI-t që u kap me 58 kg kanabis në makinë

Gjykata e Pogradecit vendosi të mbajë në burg punonjësen e AKSHI-t Erisa Fero që u kap duke transportuar 58 kg kanabis sativa.

E njëjta masë sigurie u dha dhe për 2 bashkëpunëtorët e saj Likë Basha dhe 17 vjeçarin. Për ta është ngritur akuza e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim.

Seanca u mbajt sot paradite me dyer të mbyllura.

Hetimet e ndjekura nga oficerët e policisë së Korçës dhe prokuroria e Pogradecit, kanë zbuluar se Erisa Fero, kryente rolin e korrieres në këtë grup, pasi drejtonte mjetet ku ndodhej lënda narkotike. Ajo i shmangej patrullave të policisë, duke paraqitur dokumente si punonjëse e ministrive të ndryshme në vend, dhe për pasojë kalonte me lehtësi patrullat e policisë.

Vendi i takimit me grupin e Pogradecit, është lënë në zonën e Qafë-Thanës, pikërisht tek kthesa ku ndodhet restorant Kukësi. Qëllimi ishte shkëmbimi i drogës dhe lekëve, në një vend larg vëmendjes së policisë. Por agjentët e policisë i kanë monitoruar nga distanca, duke ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme.

Tre personat Erisa Fero, Lekë Basha dhe 17 vjeçari janë arrestuar dhe bashkë me ta është bllokuar lënda narkotike. Ndërsa dy pritësit e mallit që kishte dërguar grupi i Pogradecit, F.S., 30 vjeç dhe G.S., 28 vjeç, kanë mundur t’i shpëtojnë policisë.

EMISIONET