Apeli lë në fuqi dënimin me burg për avokatin Arben Lena
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi këtë të martë vendimin e GJKKO-së për çështjen e ish-kreut të Dhomës së Avokatisë së Korçës, Arben Lena, i cili akuzohet se ka tentuar të korruptojë një gjyqtar me 5 mijë euro.
Sipas Prokurorisë Speciale, Lena ishte pjesë e grupit të 5 personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Koziçin, i arrestuar për trafikim refugjatësh, të cilin Lena e mbronte.
GJKKO e ka dënuar me burg avokatin Arben Lena dhe 5 persona të tjerë të përfshirë në ngjarje, të cilët janë shpallur fajtor për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.
"Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 18.02.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen penale të regjistruar me nr. 60/4 akti, datë 30.10.2024 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimet e ankuesve/të pandehurve Nikolla Hafësllari, Dritan Tabaku, Nikolla Jesku, A.L., Blerand Kozici, Artiana Kozici, kundër vendimit nr. 41, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 41, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për sa ka disponuar për të pandehurit A.L., Nikolla Hafësllari, Nikolla Jesku, Blerand Kozici, Artiana Kozici dhe Dritan Tabaku. Mospranimin e ankimit të paraqitur nga e pandehura Dajana Kodra (Ninga) ndaj vendimit nr. 41, datë 27.06.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar'.
Arben Lena u arrestua në janar të vitit 2024 me dyshimin se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit të Korçës. Lena akuzohet si pjesë e grupit të 5 personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës për të liruar nga paraburgimi Bledar Kozicin, i arrestuar për trafikim refugjatësh. Nga ky hetim, më parë në pranga me urdhër të SPAK, janë arrestuar 4 persona dhe janë vendosur nën masën “detyrim për t’u paraqitur” dy të tjerë.
Më 27 qershor 2024 (GJKKO) shpalli fajtor ish-kryetarin e dhomës së Avokatisë, Arben Lena. Sipas njoftimit bëhej me dije se Lena është shpallur fajtor për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Si fillim Lena u dënua me tre vite burg, por ka përfituar nga ulja e dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht me dy vite. Gjithashtu Lenës i është hequr e drejta për të ushtruar profesionin për tre vite.