Amnistia fiskale, Ekspertët: Ka mangësi të theksuara në projektligj, Qeveria: Nuk legalizon paratë e pista

Ekspertët ligjorë në një tryezë të posaçme vërejnë mangësi të theksuara në projektligjin e qeverisë për amnistinë fiskale.

Viktor Gumi shprehet ndër të tjera se pjesë e subjekteve që duhen ndaluar duhet të jenë dhe ata që kanë precedentë sa i përket detyrimeve në tatim-taksa.

“Ekziston rreziku që të ketë formulime jo të sakta. Është e rëndësishme që të përqendrojmë çështjen e përgjegjësisë penale brenda një teksti ligjor unik sikurse është Kodi Penal.”

Ndërsa përfaqësuesja e qeverisë në takim u shpreh se drafti i qeverisë nuk synon formalizimin e parave të paligjshme, por kryesisht fokusohet tek ata para që vijnë nga emigrantët dhe kursimet e tyre familjare në këto vite.

“Nuk synojmë formalizimin e pasurive të parave të krijuara nga aktiviteti i paligjshëm, apo paratë e pista.”

Përveç ekspertëve vendas dhe opozitës, edhe Dhomat Amerikane dhe ajo Gjermane si dhe Bashkimi Evropian janë shprehur kundër nismës së qeverisë Rama duke nënvizuar shqetësime serioze për draftin.

Sipas tyre ai do të dobësonte kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, e për më tepër, për shkak se rezidentëve jo tatimorë u kërkohet të importojnë para në dorë për të përfituar nga amnistia.

Drafti aktual i ligjit ngre shqetësime serioze për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e tjerë, pasi shihet edhe si një rrezik thelbësor reputacioni për vendin.

EMISIONET