Açka poezi për deputetët faqezinj: Ju s’jeni Shqipëria, ju jeni një hiçgjë që do t’ju fshijë historia

Deputetja e Partisë Demokratike, shkrimtarja Flutura Açka e nisi fjalimin duke kritikuar faktin që seanca për diskutimin e programit të qeverisë "Rama 3, një dokument kaq i rëndësishëm për 4 vitet e vendit vijon gjithë natën,  një orë e papërshtatshme për tu ndjekur nga populli.

Madje ajo përdori termin "horror"

“Ju më thoni parlament por mua më duket horror. Nuk di ndonjë vend europian të ketë parlament në 2 të natës. Sinqerisht nuk kam parë gjëkundi kështu. Sepse kujt po flasim? Shqiptarëve të përgjumur? Karrigeve bosh? Apo vetes tonë që nuk dimë as zërin tonë ta dëgjojmë."

Në fjalën e saj u ndal tek ata, deputetët “faqezinjtë e faqezezat’ që janë ulur në Kuvend me paratë e krimit dhe e mbylli me një poezi te teatrit absurd.

"Në teatrin absurd nuk jam më spektatore

Ishin ata të dy, Mercier dhe Kamier,

E udhë të gjatë zunë për Europë a Skëterrë,

Kur shiu i lagte e vetja iu dukej herë qen e herë minj

Ndalnin nën një strehë, e veten pyesnin: ku shkon, o njeri?

Ecim, i thosh tjetri, mbërrijmë një ditë atje për ku ende s’jemi nisur!

Çadra Mercierit i përgjigjet majtas,

Era Kamierit ia kthen djathtas,

Mbi ta e lodhur vështron nata,

Krijesat pa kokë

Pa vertebra

Pa shputa

Pa hije

Rrënuar nga bryma e përjetshme e hutimit,

Që nga qielli u bie.

Kujdes,

Asaj mase pa masë i thonë popull,

Dhe jashtë kësaj salle asnjëri prej tyre,

Nuk po kërkon të blejë zemërgjerësinë tuaj,

Shihni si zjen,

A e ndjeni vrajën që i keni shkaktuar,

Apo s’jua ndien?

Ç’bëni këtu?

Duke kërcitur gishtërinjtë e kuruar,

Papagallë që rënkoni nga vetkënaqja!

Është koha ta ndërroni kostumin shik,

Është dita ta kurdisni zemrekun dhimbjes,

Është ora ta vrisni akrepin e ngimjes.

Ndaj shpejt,

Ndërrojeni garderobën e gjakut

Para se gjaku i fundit shqiptar ta braktisë Shqipërinë!

Demokracia nuk është mbretëri

Që kur të ikni ju të fiket në zi!

Ju s’jeni Shqipëria,

Ju jeni një hiçgjë, që do t’ju fshijë historia,

Edhe mua bashkë me ju, po të sillem si ju!

A ju pëlqen kah jugu? Po ju beszdis kur fryn veriut thëllimi,

Po pse pra, po ecni drejt Lindjes,

Që t’i bini më gjatë për kah Perëndimi?

Ja kështu bujare gjindja me Mercierë e Kamierë,

me Europë e Skëterrë,

me ata që kujtojnë se janë zotër të gjithçkasë,

Por s’janë veçse hamej të mjerë të asgjasë.

Deri kur ta kuptojnë këtë,

Do të vazhdojnë të tyren mjeshtëri,

Dhe qentë e lagur nga shiu i paprerë

Dhe mijtë e tkurrur nga acari

Do t’u përmjerin

një ditë te varri.

Tiranë 17 shtator 2021

EMISIONET