A po përdoren politikisht Tatimet? Ibrahimaj flet për kontrollin e bizneseve të Dukës: Ishte rastësi
Vetëm pak orë pasi FSHF publikoi audiopërgjimin me sulmet e Erion Veliajt ndaj futbollit, ne bizneset e familjes Duka mësynë në mënyrë të befasishme 15 zyrtarë të hetimit tatimor për verifikim të situatës financiare.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e konsideroi thjesht një rastësi përkimin e ditës, 24 janar, teksa shpjegoi dhe arsyen e pranisë së tyre atje.
Ibrahimaj: Administrata tatimore funksionon në bazë të ligjeve dhe procedurave tatimore. Rasti në fjalë ka qenë komplet rastësi që ka ndodhur, vjen në zbatim të një sërë denoncimesh që kanë ardhur. Administrata tatimore ka detyrimin që denoncimet ti kryejë dhe përfundojnë brenda një afati 7 ditor dhe ka qenë komplet në zbatim të të gjithë procedurave dhe planeve të punës të administratës. Si subjektet që përmendët dhe subjektet e tjera janë subjekte të kontrolleve të shpeshta tatimore me qëllim të ezaurimit të gjithë denoncimeve për uljen e informalitetit dhe objektivave të tjera të administratës.
Deklaratat Ministrja i bëri pas mbledhjes së qeverisë.