A ndjehet i turpëruar Gazment Bardhi për blindimin e dyerve të PD? Përballë dikujt që humb arsyen, duhen dhe masa të tilla

8 dhjetori do të mbahet mend në historinë politike të PD por edhe mbarë vendit me skenat e dhunës që ofroi selia e PD gjatë përplasjes mes mbështetësve demokratë të Bashës dhe atyre të Berishës.

Lulzim Basha blindoi selinë e PD në tentativë për të mbajtur jashtë Berishën.

Sot kur kanë kaluar muaj nga ajo ngjarje, Gazment Bardhi thotë për Ora News se dyert e blinduara erdhën si nevojë e momentit për ti paraprirë më të keqes dhe jo se dëshirë e drejtuesve të PD.

Në gjithë këto përplasje brenda Partisë Demokratike a ka pasur vend për reflektim për problemet që janë krijuar. Dua të pyes për një çështje që nuk ka lënë shije të mirë te demokratët, ju si Sekretar i Përgjithshëm e keni mbrojtur në vazhdimësi publikisht se nuk po blindohet PD. Sot a ndiheni pak të turpëruar për atë çfarë ndodhi me selinë e PD, me blindimin e dyerve?

Bardhi: Edhe ju keni rënë pre e propagandës që deformon atë që unë kam thënë. Kishte një akuzë që ne po ndryshonim dyert dhe dritaret e zyrave tona, po i bënim të blinduara.

Po kapesh pas fjalëve.

Bardhi: Jo nuk po kapem pas fjalëve. Ajo që kam thënë është se asnjë zyrë, asnjë derë dhe asnjë dritare e asnjë zyre nuk po blindohet. Sigurisht, dhe këtë e kam thënë dhe më parë, për shkak të infOrmacioneve që disponojmë se Sali Berisha po përgatit akte gjakderdhje mes demokratëve mu në zemër të selisë qëndrore të PD…

Mund të lihej e lirë selia.

Bardhi: …është detyra. Dakord ashtu mund të themi kur ka një protestë të lihet e lirë kryeministria, presidenca, gjykatat, prokuroritë.

Nuk është e njëjtë.

Bardhi: Është totalisht e njëjtë. PD është institucion.

Është shtëpi e gjithë atyre demokratëve.

Bardhi: Patjetër dhe asnjë demokrat që vjen pa gurë, pa çekiç, pa etiketën trafikant droge, ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë i lirë për të ardhur në PD. Ama në 31 vite por besoj dhe në gjithë historinë botërore nuk ka ndodhur kurrë që një ish-kryetar të thërrasë protestë në selinë e partisë të tij, nuk ka ndodhur kurrë.

Përtej kësaj, a është turp që PD të blindohet në atë formë?

Bardhi: Mund të më thoni është më turp për ju si qytetar që në mënyrë të papërgjegjshme një individ të organizojë apo planifikojë akte dhune, vëllavrasje në selinë e qëndrore të PD? Unë gjykoj se para jetës dhe shëndetit të demokratëve është përgjegjësi e institucioneve legjitime të partisë të marrin çdo masë për të shmangur gjakderdhjen. Nëse dikush ka humbur arsyen sado të shikojë gjakderdhje mes demokratëve në selinë qëndrore të PD, sigurisht do marrësh masa që duken të panevojshme por që janë të nevojshme për të shmangur një akt që është shumë më i rëndë.

EMISIONET