3 milionë e-maile të përgjuara/ Koka e mashtrimit me grupin “Milton”, kapet në Dubai. Ish-këshilltari i Xhaçkës, Josifi kërkohet nga drejtësia Spanjolle
Është arrestuar në Dubai, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Amant Josifi, personi më i kërkuar nga drejtësia Spanjolle dhe Shqiptare për mashtrimin përmes skemës së Call-Centerave dhe investimet në “BitCoin”.
Amant Josifi, më parë ka shërbyer dhe si këshilltar i ish-ministres Olta Xhaçka, ndërsa rezulton pronar i disa kompanive telekomunikacioni me Call-Centerat në Tiranë.
Përmes kompanisë “Mizu” dhe firmave të tjera, Josifi dyshohet se kishte ngritur një rrjet të gjerë mashtrimi me investimet e parave në bursat online.
Viktimat e Josifit dhe bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë, janë spanjollë, italianë dhe gjermanë, të cilët fusnin shumë të konsiderueshme financiare në aplikacionet online të ngritura nga Josifi, duke humbur paratë e tyre.
Kjo është një skeme që ka shkaktuar një dëm qytetarëve prej 2.4 miliardë euro, me qindra mijëra viktima në mbarë botën. Hetimi është shtirë në disa vende të Europës, përfshirë Shqipërinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainën.
Mes klientëve që janë mashtruar është edhe një grua 80-vjeçare e cila ka humbur më shumë se 837,000 dollarë (800,000 €) duke investuar në kriptovaluta.
Amant Josifi, është një emër mjaft i njohur për Shqipërinë, pasi veç prezantimit të tij si biznesmen ai ka qenë edhe këshilltar i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka deri në vitin 2020. Themelues i “APA-LIAISON Ltd” në vitin 2012, i ndjekur nga “EUROPE SERVICE GROUP Ltd”, “MCN SERVICES Ltd”, “Mizu” etj.
Në total, pre e kësaj skeme mashtrimi kanë rënë 200 mijë viktima në Evropë, shumica prej tyre në Gjermani, Itali dhe Spanjë.
Policia spanjolle përgjoi 3 milionë e-maile që u mundësuan hetuesve të identifikonin dhe lidhnin më shumë se 470 faqe interneti të mbështetura nga qendrat e Call-Centerave.
Rrjeti njihet për policinë si grupi Milton, një emër i përdorur fillimisht nga vetë mashtruesit, por i braktisur në vitin 2020.