1 vit pa Kasem Hysenbelliun, Ndroqi: Luftoi për një media të pavarur

U bë një vit pa ty Vëlla! Është guxim i madh të quash dikë Vëlla. Përtej përdorimit të këtij etiketimi si zhargon, t’i e di Kasem Hysenbelliu, që në të gjallë ke qenë dhe je ende vëllai im.

Ka kaluar e kalon çdo darkë pa thirrjet e përhershme në celular në orët e mbrëmjes, ku biseda jonë mbaronte vonë për shkak të kohës së tejzgjatur e jo prej mbylljes të saj.

Sepse ajo vazhdonte të nesërmen mbrëma e çdo darkë, pavarësisht se ushqimi ftohej në tryezën e kuzhinës dhe disa herë ime shoqe Moza, e po ashtu Kela jote përsërisnin thirrjen për të ngrënë.

Ti ike në një kohë të vështirë për mua, një kohë ku Covidi më mori dhe familjarët e mi. Ti erdhe e më ngushëllove familjarisht pa e ditur se pas 20 ditësh do ikje dhe vetë.

Kaso, në jetën time ishe diçka më shumë se sa një mik i shtrenjtë, ishte një vëlla i çmuar, një bashkëudhëtar, një pjesë e imja dhe e jona së bashku.

E gjitha sepse ajo që bëjë ti nuk ishte thjesht një akt vullneti, por në radhë të parë një akt inteligjence. Një vit pasi ti vëlla ke ikur, ne jemi më të varfër, ne jemi më të dobët, njerëzit e thjeshtë kanë një zë më të zbehur, e drejta është e pafuqishme.

Vëllai im, ti je i bekuar! Ata që le pas, një bashkëshorte të mrekullueshme si Kela, princeshë Inën, krenaria jote, tët bir Kevin, të cilët po ja dalin, jo pa ty, por frymëzuar nga ty.

Edhe Fax News, po ja del në kohëra kur gjithnjë e më shumë misioni për të thënë të vërtetën po bëhet i pamundur në këtë treg mediatik të zvetnuar nga etja për më shumë pushtet e të pushtetshmëve dhe uria për shtypjen ndaj të pamundurve.

Edhe unë vëlla, po ja dal duke risjellë në jetën time idetë që ndanim bashkë dikur, herë me nerv kundër të gjithëve, e sidomos pushtetit të egër, e herë me maturi përballë konformistëve që kanë perde në sy. 

Më mungojnë bisedat që zinin vendin kryesor teksa shpesh drekonim dhe festonim bashkë ditëlindjet e femijëve tanë.

Në 5 Dhjetor Covidi të mori oksigjenin e fundit në trupin tënd vëlla, si një ironi përkundrejt hovit, oksigjenit që ti i dhurove me punën tënde medias shqiptare, si Gazeta Panorama, News 24 dhe Gazeta Shqiptare, të cilat ti i ngrite në kulm. Askush nuk e fshin gjurmën tënde.

Ti zgjodhe të punosh dhe ndërtosh një media të mirë Kaso. Për këto arsye, të pasqyruara në ato çke lënë pas, për humanitetin, kurajon dhe mirësinë, për bujarinë dhe dashurinë për të mirën dhe të drejtën, dhimbja për ikjen tënde rritet. Ashtu siç na le shumë nga ne, të vetëm në mungesën tënde, ashtu edhe ti prej një viti ske tjetër veç vetes, veprës që le përgjysmë në tokë, që ne ta ndjekim dhe Zotin lart.

P.S. Këto janë fjalë zemre që thuhen me pastërtinë dhe dhimbjen që buron nga mungesa e këtij njeriu të veçantë. Media ka kohë që përpiqet të prodhojë kërkesë dhe nuk prodhon ofertë. Kasem Hysenbelliu u përpoq të prodhojë një ofertë. Media ka kohë që shpesh zgjedh të bëjë më të lehtën, më të thjeshtën, të jetë oportuniste. Kasemi bënte të vështirën, atë që shkakton vuajtje, nuk hynte në kompromise që prekin të drejtën.

EMISIONET