Plagosje në Tiranë e Lezhë, të rinjtë përfshihen në konflikte të çastit me armë zjarri

Konfliktet e çastit janë bërë shkak për plagosjen e tre të rinjve në Tiranë dhe në Lezhë. Episodi i parë ndodhi në kryeqytet në rrugën e Rinasit, ku dy të rinj mbetën të lënduar pas një konflikti me armë pas aksidentit me makinë. Autorët e ngjarjes në zonën e Kasharit ende nuk janë vënë në pranga, ndërkohë në Lezhë një 25-vjeçar mbeti i plagosur pas debatit të momentit, ndërsa autori është shpallur në kërkim.  

Tre të rinj mbetën të plagosur si pasojë e konflikteve të çastit në Tiranë dhe në Lezhë.

Episodi i parë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes në zonën e njohur si “Mbikalimi i Qafë-Kasharit”, në Tiranë.

Sipas burimeve të policisë, shtetasit Enis Sanxhaku, 20 vjeç dhe Noa Mato 19 vjeç ishin duke u kthyer nga kalçetoja dhe si pasojë e një manovre të gabuar me makinë janë konfliktuar me 2 drejtues mjetesh.

Debati agravoi derisa njëri prej personave të përfshirë nxori armën dhe qëlloi duke lënë të lënduar dy të rinjtë që ndodhen jashtë rrezikut për jetën e ndërsa njëri prej tyre ka lënë dyert e spitalit.

Policia ndërkohë nuk ka arritur të ndalojë ende autorët e ngjarjes.

Në orët e pasdites, në  Lezhë mbeti i plagosur me armë një 25-vjeçar.

Shtetasi Paulo Bushi i njohur edhe me mbiemrin "Ndoj" u qëllua dy herë me pistoletë në pjesën e këmbëve dhe u dërgua menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin rajonal të Lezhës ku ndodhet nën kujdesin mjekësor, jashtë rrezikut për jetën.

Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes identifikoi dhe shpalli në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes.

Ai është shtetasi Xhulio Vokrri, banues në Manati, ndërsa blutë janë vënë në ndjekje dhe po krehin të gjithë zonën me qëllim kapjen e tij.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuatruar dy gëshoja pistoletë T.T si dhe janë shoqëruar dhe po merren në pyetje disa përsona të cilët mund të kenë dijeni rreth ngjarjes.

Nga veprimet paraprake hetimore bëhet me dije se plagosja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive të dobëta mes dy të rinjve, të cilët janë banues në të njëjtin fshat.

EMISIONET