Veliaj vazhdon me tenderat pa garë, fituese kompania me vetëm 47 mijë lekë nga fondi limit

Veliaj vazhdon me tenderat pa garë, fituese kompania me vetëm 47

Edhe në rastet kur Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj nuk zhvillon vetë drejtpërdrejt tendera, e bën këtë gjë përmes institucioneve që ka në varësi.

Ndonëse të kritikuara shpesh për shkak të mënyrës së përzgjedhjes së fituesit, prokurimet vijojnë të zhvillohen pa garë dhe duke shpallur fituese kompaninë me ofertën më të lartë.

Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit për blerjen e pjesëve të këmbimit, gomave, baterive dhe filtrave.

Sipas të dhënave në Agjencinë e Prokurimeve Publike për procedurën me fond limit 10.8 milionë lekë pjesëmarrëse rezultojnë 3 operatorë ekonomikë, 2 prej të cilave janë skualifikuar.

Një prej subjekteve pasi nuk kishte paraqitur ofertë, ndërsa tjetri nën argumentin se nuk përmbushte kriteret e veçanta të kualifikimit.

Pikërisht kompania ENO T.D që u përjashtua nga gara, ishte ajo që kishte paraqitur dhe vlerën më të ulët për kontratën, 9.7 milionë lekë.

Kështu i vetmi i kualifikuar dhe automatikisht edhe fituesi u shpall GAJD Company me ofertën 10.7 milionë lekë, me një diferencë shumë të vogël nga fondi limit prej vetëm 47 mijë lekësh.

As në këtë rast nuk ka munguar sinjalizimi nga Open Data e cila ka ndezur flamurin e kuq të shoqëruar me shkrimin "skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit."

EMISIONET