Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka reagon përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me vdekjen e tre minatorëve në Selishtë të Dibrës.

Sipas ministres, ky është një vit i vështirë që vijon të na sprovojë të gjithëve

Olta Xhaçka: “Shumë dhimbje për familjet e minatorëve që humbën jetën në Selishtë. Në këtë moment tragjedie, me mendje e me zemër ju gjendemi pranë familjeve që lanë pas Fatos Çesku, Rexhep Rushiti e Ismail Hoxha. Ngushëllimet më të sinqerta, edhe pse, as fjalët e as dhimbja që ndajmë me ta nuk kanë për t’ua kthyer mbrapsht të dashurit e tyre. Ky është një vit i vështirë që vijon të na sprovojë të gjithëve. Por megjithatë, është detyrimi ynë që pavarësisht vështirësive e sfidave të bëjmë më shumë për minatorët e familjet e tyre”.

Inxhinieri Ismail Hoxha,62 vjeç, Fatos Çesku, 55 vjeç dhe Rrushdi Rushiti, 29 vjeç u nxorrën mëngjesin e sotëm të pajetë nga galeria nga ku kishin humbur kontaktet prej rreth 48 orësh.