Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka shprehur ngushëllimet për vjekjen e mësuesit të infektuar me Covid në Pogradec.

Marrë shkas nga ngjarja e rëndë ajo ka përsëritur apelin për shtimin e kujdesit dhe zbatimit e protokolleve shëndetësore.

Shahini: Ndihem shumë e keqardhur për mësuesin tonë nga Pogradeci që ka humbur jetën nga COVID-19 dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, nxënësve dhe kolegëve të tij. Me këtë rast, apeloj fort sërish që të shtojmë kujdesin duke ndërmarrë çdo masë parandaluese për frenimin e koronavirusit, si dhe duke zbatuar me seriozitet çdo rregull e protokoll shëndetësor që ka në thelb mbrojtjen e shëndetit tonë.

44-vjeçari, Leonard Xhemollari, baba i dy vajzave të vogla, ishte mësues në Udenisht dhe prej më tepër se dy javësh ndodhej i intubuar në Tiranë.

Ai dyshohet se u infektua në Ohër gjatë periudhës kur ishte me pushime.

Xhemollari nuk kishte sëmundje të tjera shoqëruese që të vështirësonin gjendjen e tij shëndetësore.