Prej 4 ditësh zjarri i rënë në fshatin Drenie të Fierit nuk ndalet.

Hektarë të tëra me pisha janë shkrumbuar, dhe pavarësisht ndërhyrjes së zjarrëfikësve situata vazhdon të mbetet jashtë kontrollit.

Madje në rrezik janë dhe efektivët e angazhuar në shuarjen e flakëve.

“Është dita e katërt që zjarri është në zhvillim. Forcat e Bashkisë Patos kanë prej ditësh që po punojnë për shuarjen e flakëve. Situata është e vështirë pasi sapo mbyllet një vatër, hapet një vatër tjetër. Gjithashtu terreni i thepisur e ka bërë më të vështirë ndërhyrjen.”

Zjarri mësohet se ka nisur në pyllin e Roskovecit. Pavarësisht se helikopteri ka hedhur ujë nga ajri vënia nën kontroll e vatrave është e vështirë.

“Ndërhyrja me helikopter është shumë e rëndësishme pasi në fshatin Drenie rrezikohen dhe shtëpitë.”

Dyshimet janë për zjarrëvënie të qëllimshme ndaj zyrtarët kërkojnë ndalimin e autorëve, duke u shprehur se kjo është një masakër mjedisore.

Në fakt prej tre ditësh tre bashki kanë ngritur strukturat për të përballuar emergjencën, por tashmë mbi 100 hektarë janë djegur dhe ende gjithçka mbetet e paqartë.

Lexoni edhe: Vatra 3 ditë aktive, ndërhyn helikopteri për të shuar zjarrin në pyllin midis Roskovecit e Mallakastrës