Pas deklaratës së Kryeministrit Rama se bëhet propagandë me largimin e shqiptarëve referuar raportit të OECD të shpërndarë nga Presidenti Meta ka reaguar dhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.

Në një deklaratë për mediat, Vasili u shpreh se nuk ka asnjë propagandë në këtë drejtim. Janë tregues të qartë, kokëfortë, të pamëshirshëm të katastrofës ekonomike ku e ka futur Edi Rama Shqipërinë.

“Edi Rama ka pretenduar pak sekonda më parë për gjoja propagandë lidhur me largimin e qytetarëve shqiptarë. Nuk ka asnjë propagandë në këtë drejtim. Janë tregues të qartë, kokëfortë, të pamëshirshëm të katastrofës ekonomike ku e ka futur Edi Rama Shqipërinë. Katastrofë e cila i ka bërë shqiptarët që Shqipëria të duket një vend i huaj dhe jo më atdheu i tyre. Jo sepse nuk e duan Shqipërinë, por se toka e djegur  që ka krijuar Edi Rama, grabitja e tij ua ka bërë të tillë. Shqiptarët për fat të keq kanë një kryeministër, i cili në kohën e pandemisë më të rëndë që ka goditur Shqipërinë në 100 vitet e fundit, në vend të bëjë detyrën e tij e t’i ndihmojë shqiptarët bën të kundërtën” u shpreh Nënkryetari i LSI.