Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ngriti sot shqetësimin për koston e madhe që po detyrohen të paguajnë qytetarërt e infektuar me Covid që po trajtohen në banesat e tyre.

Sipas tij, vetëm javën e fundit nga 1 mijë raste të reja pozitive, më pak sesa 10%  janë trajtuar në spitale  dhe qindra e qindra prej tyre trajtohen ne banesë.

Vasili: Ky trajtim në shumicën dërrmuese të rasteve, është një trajtim, i cili po u kushton shqiptarëve të varfër në kushtet e krizës, në kushtet e papunësisë, në kushtet e mbylljes së pafundme të bizneseve, të një pamundësie ekonomike ekstreme, prapë iu kushton qindra miliona lekë deri në 1 milion lekë të vjetra, të cilat kuptohet qartësisht që janë një rrënim për buxhetet familjare, por njëkohësisht një rrënim, i cili nuk prodhon trajtimin mjekësor të duhur, e ku për pasojë rastet e rënda vijojnë, e aq më keq rastet e lëna pas dore vazhdojnë të shfaqen, e ku rastet e rënduara për shkak të mos trajtimit të duhur shëndetësor shkojnë në fazën e fundit në spital ku shpesh herë fundi, është një fund fatal dhe ai që nuk do të donim asnjë prej nesh.

Ai apeloi qeverinë të marrë me urgjencë masa para se të jetë vonë.

Vasili: Gjithë sistemi shëndetësor të jetë në këmbë sepse kështu edhe pacientët do të trajtohen më mirë dhe do të shpëtojnë nga fataliteti i ecjes negative të rasteve me Covid, por dhe ekonomia shumë, shumë e dobët, e brishtë e kësaj krize të tmerrshme ekonomiko-shëndetësore që po kalon vendi, pra ekonomia familjare nuk do të përfundojë në atë rrënim pa kthim le të mos harrojnë qeveritarët që çdo lek i kërkuar nga familjet shqiptare, janë lek që kërkohen borxh në miq dhe në shok falë solidaritetit, po janë borxhe që familjet shqiptare nuk i lajnë dot sepse nuk mund ti lajë dot me papunësinë e saj, pra sot kjo është një thirrje e madhe për përgjegjshmëri tërësisht të re, në rast se nuk e dinë, ashtu siç kanë demonstruar që nuk dinë, të pyesin, por të mos marrin më fatura kaq të rënda, kaq të pashmangshme që çdo hezitim i tyre dhe çdo arrogancë e tyre do ti bëjë të përgjigjen shumë më rëndë nesër, pasi është në lojë mbi të gjitha shëndeti i njerëzve dhe mijëra familjeve që ndërkohë që unë komunikoj me ju janë duke u përplasur me të afërmit e tyre të cilët ndodhen në banesat e tyre, të pa mbështetur, të pa ndihmuar, pa marrë përsipër detyrimet financiare shtetërore shteti, pra në një qorrsokak të vërtete që nuk dinë ku shkojnë vetëm dhe vetëm që kanë një shtet që nuk do të zgjidhë probleme, por do të bëjë propagandë. Koha është sot, jo nesër për të vepruar.