Varrezat masive në Serbi, Makolli: Lokalizimi i vështirë, Daçiç i kërcënoi serbët të mbyllin gojën. Serbia po ja faturon krimet e veta UÇK

Varrezat masive në Serbi, Makolli: Lokalizimi i vështirë,

Mbetje njerëzore u gjetën të martën në një gurore në Kizhevik afër Rashkës në Serbi të cilat dyshohen të jenë eshtra të 15 civilëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i delegacionit për bisedimet me Serbinë për personat e zhdukur, Ibrahim Makolli, akuzon Serbinë se qëllimisht ka vonuar prej 21 vitesh gjetjen e të zhdukurve.

Ai tha se janë indetifikuar disa lokacione në Serbi ku dyshohet të ketë varre masive por zbulimi i tyre bëhet edhe më i vështirë pas kërcënimeve të vazhdueshme nga politikanët serbë, më i fundit Ivica Daçiç, që paralajmëroi serbët se kush jep informata rreth tyre do të konsiderohet tradhëtar.

Makolli: Është një proces i cili po zvarritet tash e 21 vjet nga përfundimi i luftës. Para dy ditësh në një lokacion në afërsi të kufirit me Kosovën, në brendësi të territorit të Serbisë kemi hasur në mbetje mortore të cilat kemi bindjen e plotë që u takojnë shqiptarëve të vrarë dhe masakruar dhe të bartura më pas në territorin e Serbisë me qëllim fshehjen e gjurmëve të krimit.

Bindjen tonë e forcon edhe  fakti se në afërsi të të njëjtit lokacion, disa km afër tij në 2014 është zbuluar një varresë tjetër masive me trupa të 54 shqiptarëve të rajonit të Drenicës të cilët janë bartur në atë pjesë të Serbisë nga ushtria serbe. Besojmë që edhe një numër i trupave të shqiptarëve gjenden brenda territorit të Serbisë, janë disa lokacione të cilat i kemi identifikuar dhe po veprojmë në drejtim të ekzaminimit të tyre.

Nuk është e lehtë pas kërcënimeve që ka bërë para disa javëve ish-ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, aktualisht kryetar i parlamentit serb, bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviçit në kohën e kryerjes së krimeve, zoti Daçiç, i cili ka kërcënuar të gjithë ata serbë që do të marrin guximin të ofrojnë informata për vendodhjen e trupave të shqiptarëve, i ka quajtur tradhëtarë dhe ne të gjithë e dimë se çfarë e pret një tradhëtar.

Serbia edhe sot e kësaj dite është e interesuar të fshehë të dhënat që do të mundësonte lokalizimin, gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur. Në Kosovë mbeten 1638 persona të zhdukur të periudhës 1 janar 1998-31 dhjetor 2000.

Makolli thotë se Serbia është përgjegjëse për krimet më të rënda të kryera në Kosovë që njeh historia e njerëzimit që pas Luftës së Dytë Botërore.

Por më kriminale është dhe tentativa e saj për t'ja faturuar këto krime UÇK në përpjekje për të degraduar luftën e drejtë të shqiptarëve.

Makolli: Pjesa dërmuese e tyre janë shqiptarë të cilët në forma të ndryshme janë arrestuar, rrëmbyer nga ushtria, policia apo forcat paramilitare që kanë vepruar në atë kohë në Kosovë dhe kanë kryer krime nga më të rëndat që i njeh historia e njerëzimit në luftë pas Luftës së Dytë Botërore dhe tani të ketë akuza ndaj çlirimtarëve është krejtësisht e papranueshme.

Në përpjekjen për të vënë drejtësi,të gjithë ata që kanë kryer krime duhet të përgjigjen para drejtësisë. Por që të ketë veprime të tilla, të cilësohet UÇK ndërmarrje kriminale kur e gjithë bota e di që ndërmarrje kriminale ka qenë shteti serb me në krye Millosheviçin që ka kryer krime jo vetëm në Kosovë por në gjithë vendet e ish-Jugosllavisë, dëshmon më së miri sesa e interesuar është drejtësia ndërkombëtare të vendosë të drejtësi.

Është një padrejtësi e madhe që po zbatohet ndaj nesh dhe natyrisht ne kemi dyshime dhe nga kanë ardhur këto akuza, ku janë përpiluar. Serbia të gjitha krimet e kryera nga forcat e saj është përpjekur t'ia veshë UÇK që të degradojë luftën e drejtë të shqiptarëve dhe të gjithë ata që i kanë dhënë mbështetje kësaj kauze ti paraqesë si kriminelë.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana

Lexo dhe:

“Ata që ekzekutuan 13 fëmijë shqiptarë e ushtarët e UÇK mbrohen nga Serbia, në Hagë ata që luftuan në shtëpinë e tyre”

Rajoni Lajme Kosovë te zhdukurit ne kosove varrezat masive ne serbi

EMISIONET