A funksionojnë vaksinat edhe ndaj varianteve të reja të Covid-19? Disa studime janë duke u zhvilluar në të gjithë botën për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje.

Për momentin vaksinat duket të jenë plotësisht efektive në variantin anglez, ndërsa për ato të Afrikës së Jugut dhe Brazilit mund të ketë një rënie të efektivitetit.

Variantet – Tani ekzistojnë tre variante që po monitorohen me kujdes dhe po emërtohen sipas vendit ku u vëzhguan për herë të parë. Në të tre rastet virusi ka mutacione në të ashtuquajturën proteinë spike, e cila është ajo me të cilën virusi ngjitet në qelizë.

Varianti britanik (VOC 202012/01) u izolua për herë të parë në shtator 2020 në Britaninë e Madhe, ndërsa në Evropë rasti i parë i zbuluar daton në 9 nëntor 2020. Sipas disa studimeve, ka një transmetueshmëri të lartë, por aktualisht nuk ka prova të një efekti negativ në efikasitetin e vaksinave.

Varianti i Afrikës së Jugut (501 Y.V2) u izolua për herë të parë në Tetor 2020 në Afrikën e Jugut, ndërsa në Evropë rasti i parë i zbuluar daton në 28 Dhjetor 2020. Studimet thonë se ka një transmetueshmëri të lartë ndërsa efektiviteti i vaksinës duket të jetë më i ulët. Po studiohet mundësia nëse mund të shkaktojë një numër më të madh të ri-infeksioneve në subjektet e rikuperuara tashmë nga Covid-19.

Varianti brazilian (P.1) u izolua për herë të parë në janar 2021 në Brazil dhe Japoni. Që nga 25 janari 2021, u raportua në 8 vende, përfshirë Italinë. Ashtu si dy variantet e mësipërm ka një transmetueshmëri të lartë, ndërsa vaksina ka një efektivitet më të ulët se në rastin e variantit britanik.

Është duke u studiuar nëse mund të shkaktojë një numër më të madh të ri-infeksioneve në subjektet e rikuperuara tashmë nga Covid-19

Pfizer dhe Moderna – Sipas Agjencisë Evropiane të Barnave, “të dy vaksinat duken shumë të efektshme ndaj varianteve të reja Covid“.

Rezultatet janë pozitive sa i përket variantit anglez, ndërsa situata me ato të Afrikës së Jugut dhe ato Braziliane duket më e komplikuar.

Një studim i Universitetit të Oxford flet për një përgjigje imune efektive nga Pfizer për të dy variantet e Covid-19, atë britanik dhe atë afrikano-jugor.

Astrazeneca – Vaksina anti-Covid e Oxford-AstraZeneca, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mund të përdoret gjithashtu në vendet ku ekzistojnë variante të virusit SarsCov2.

Frika për efikasitetin e vaksinës në fjalë ishte ngritur nga Afrika e Jugut e cila, në bazë të një studimi, ditët e fundit kishte frikë nga mundësia e efikasitetit “të kufizuar” kundër variantit afrikano-jugor, i konsideruar më ngjitës dhe kryesisht përgjegjës për valën e dytë të pandemisë në vend. Prandaj, autoritetet e vendit kishin pezulluar fillimin e një programi ambicioz të vaksinimit, i cili do të ndodhte në ditët në vijim me një milion vaksina AstraZeneca, duke njoftuar se fushata e vaksinimit të koronavirusit në vend të kësaj do të nisë me vaksinat nga kompania Johnson & Johnson.

Gjigandi farmaceutik anglo-suedez AstraZeneca konfirmon se ka filluar kërkimin për një azhurnim të vaksinës anti Covid të kryer së bashku me Universitetin e Oxfordt: një azhurnim që synon ta bëjë atë të kalibruar dhe më efektiv ndaj varianteve të reja të koronavirusit dhe e cila pritet të vihet në dispozicion në vjeshtë.

Deri tani, në mbarë botën numërohen mbi 108 milionë të infektuar ndërsa 2,381,086 qytetarë kanë humbur jetën.   

/a.r,OraNews