Pas kërkesës së tyre të përsëritur, farmacistët janë futur në listën për tu vaksinuar.

Urdhri i Farmacistëve nëpërmjet një postimi në Facebook njoftoi se të mërkurën, 7 prill, do të nisë vaksinimi i farmacisteve në Rajonin e Tiranës.

Çdo farmacist që është i interesuar të vaksinohet, duhet të regjistrohet duke plotësuar një formular me të dhënat përkatëse, ku më pas lista do t’i dërgohet qendrave të vaksinimit.

“Të nderuar kolegë, ju njoftojmë se ditën e nesërme nis procesi i vaksinimit për farmacistët e Rajonit të Tiranës. Të gjithë farmacistët që janë të interesuar të vaksinohen, të plotësojnë formularin e mëposhtëm me të dhënat përkatëse, në mënyrë që të hartohen listat që do i dërgohen qendrave të vaksinimit”, thuhet në njoftim.

Vaksinimi masiv në vend ka nisur që prej 28 mars, ndërkohë dje erdhën në vend rreth 7 mijë doza të reja të Pfizer, pjesa e parë e 22.230 dozave të kësaj vaksine që pritet të vijnë deri më 20 prill.

Aktualisht në vend po vazhdon vaksinimi i gazetarëve, uniformave blu dhe i të moshuarit mbi 70-vjeç.