Kategoritë e rrezikuara që janë më të prekshëm nga Covid-19 do të bëjnë vaksinën falas.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, nga Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se janë shtuar edhe kapacitetet.

“Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona, për sa i përket situatës së Covid-19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona përsa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurt, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e riskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale.”

Nga ana tjetër drejtoresha e ISHP-së, Silva Bino, sqaroi se kush bën pjesë në grupet e rrezikuara

 “Personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid-19.”

Manastirliu shtoi më tej se po merren të gjitha masat për përballimin e situatës vjeshtë-dimër.

 “Deri tani, sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina për sa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim.”

Ndërkohë në të gjithë botën po bëhen përpjekje të vazhdueshme për një vaksinë anti-Covid, por ende nuk llogaritet koha se kur ajo do të jetë e aplikueshme botërisht.