Britania e Madhe i ka hapur rrugën vaksinave më të lira e më të përdorshme kundër koronavirusit të ri.

Autoritetet njoftuan të mërkurën se vaksina e krijuar nga shkencëtarët e kompanisë vendase “AstraZeneca” dhe nga Universiteti i Oksfordit, është e sigurt dhe efikase.

Në qershor u deklarua se një dozë e vaksinës pritet të kushtojë nga 3 deri 4 dollarë, çka e bën atë alternativën kryesore për shtetet me nivel të ulët të ardhurash.

Pikë tjetër e fortë e saj është se prodhohet më lehtë në masë dhe ndryshe nga vaksina aktuale e “Pfizer”-it, e Oksfordit mund të ruhet në kushte standarde frigoriferike deri në 6 muaj.

Për sa i përket efikasitetit, provat klinike kanë treguar se vaksina e Oksfordit mund ta imunizojë një person nga Covid-19 në 62 për qind të rasteve, dhe ky efikasitet arrin në 90 për qind kur dy dozat merren me diferencë deri 12 javë nga njëra-tjetra.

Britania ka porositur një total prej 100 milionë dozash të vaksinës së Oksfordit.

40 milionë pritet të shpërndahen para marsit, ndërsa interes për to shfaqi një ditë më parë edhe qeveria shqiptare.

Rreth 600 mijë britanikë janë vaksinuar deri tani me dozat e “Phizerit”, ndërsa me vaksinën më të re, fushata e imunizimit pritet të shumëfishohet.

Të parët në radhën e vaksinimit do të jenë sërish më të rrezikuarit, shtëpitë e të moshuarve dhe punonjësit në vijën e parë të betejës me pandeminë e Covid.

Nevoja për vaksinën është shtuar në javët e fundit për shkak se po vazhdon të rritet numri i të infektuarve nga një nënlloj i ri i virusit korona që po qarkullon në Britani.

Vaksina e “AstraZeneca”-s dhe Oksfordit përmban një virus stinor që dikur prekte shimpanzetë, por që tani është modifikuar gjenetikisht për të luftuar Covid-19.