Vaksina anti-Covid sfidon edhe BE-në

Vaksina anti-Covid sfidon edhe BE-në

Nga vështirësitë logjistike me transportin dhe ruajtjen në temperaturë, te incidentet me dozat dhe skepticizmi për vaksinat, vendet e Bashkimit Europian po përballen me sfidat e para të fushatës së vaksinimit kundër Covid-19. Spanja do i mbajë shënim personat që refuzojnë të vaksinohen.

Edhe vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian po hasin probleme me vaksinat kundër koronavirusit nga kompania "Pfizer/BioNTech".

Kompania raportoi se shpërndarja e dozave është vonuar për tetë vende anëtare, mes tyre edhe Spanja, pasi u zbulua se transporti nga Belgjika po kryhej në kushtet frigoriferike jo të duhura.

Për të ruajtur efikasitetin, vaksina anti-Covid e "Pfizer"-it duhet të ruhet në temperatura -70 gradë Celsius, ose në 2 deri 8 gradë Celsius nëse përdoret brenda 5 ditëve.

Fushata e vaksinimit nisi fundjavën e kaluar në të 27-a vendet e BE-së, me të parët e listës, personat më të moshuar, punonjësit e stafit spitalor dhe politikanët.

Raportohet se në ditët e fillimit nuk kanë munguar as incidentet, siç është rasti i Gjermanisë, ku të paktën 8 pjesëtarë të një shtëpie për të moshuarit morën doza të vaksinës pesë herë më të larta sesa rekomandohet, e katër prej tyre përfunduan në spital.

Berlini tha se ka porositur edhe 30 milionë doza të tjera nga "Pfizer" por në Itali nuk munguan akuzat e disa politikanëve se Gjermania po e mban shumicën e furnizimit për popullatën e vet.

Mësohet se moti i keq me borë po vështirëson transportin e një ngarkese me 460 mijë vaksina në disa vende europiane, përfshirë rajonet italiane që tani po përgatiten për vonesa.

Skepticizmi për vaksinat antikovid, ndërkohë, vazhdon të mbetet i lartë, siç po ndodh në Spanjë ku vetëm 32 për qind thonë se janë të gatshëm të marrin dy dozat e pritshme, 55 për qind presin të mësojnë fillimisht për efektet e saj dhe mbi 8 për qind janë kategorikisht kundër.

Ministri spanjoll i Shëndetësisë, Salvador Illa, tha se vaksinimi nuk është i detyrueshëm por ata që do të refuzojnë ta bëjnë, do të mbahen shënim.

Bota Lajme BE vaksina anti covid

EMISIONET