Një 37-vjeçar në Fier u arrestua pasi ushtroi dhunë fizike ndaj babait të tij.

Shtetasi Orjald Tushi goditi me sende të forta babain e tij, shtetasin V.T. 63 vjeç, banues në fshatin Libofshë të Fierit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 1 të mëngjesit. I ati u zgjua nga gjumi ndërsa djali ka qenë zgjuar.

Mësohet se ai goditi me gurë babain e tij duke i shkaktuar plagë, por fatmirësisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Fierit.

Ata jetonin të vetëm në shtëpi. Gjatë kontrollit të policisë, 37-vjeçarit iu gjet dhe një thikë.

Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje ndërkohë që grupi hetimor po vijon kërkimet.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Edhe në Korçë, policia ka arrestuar dy persona të cilët akuzohen se kanë ushtruar dhunë në familje.

Nga hetimet e policisë së Devollit u bë e mundur arrestimi i shtetasit me iniciale Xh. Sh., 26 vjeç, banues në Bilisht, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë me vendimin e datës 23.07.2020, e ka dënuar këtë shtetas me 8 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”.

Ndërsa policia e Korçës arrestoi në flagrancë shtetasin me iniciale N. Xh., 60 vjeç, banues në Korçë, pasi në banesë ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes M. Xh., ndaj vajzës 19-vjeçare, si edhe ndaj djalit të tij 17-vjeçar, banues në Korçë, për të cilët u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Dhuna në familje”.