Është publikuar  udhëzimi për mënyrën se si do paguhet gjoba për mosmbajtjen e maskës.

Sipas urdhrit, Policia e Shtetit dërgon brenda 14 ditëve procesverbalin e vendosjes se gjobës tek OSHEE, dokument që duhet të përmbajë të dhëna të sakta dhe kartën e identitetit tëpersonit të gjobitur dhe adresën e banimit të tij.

Ata që nuk kanë një kontratë me OSHEE, gjoba e vendosur i kalon sërish policisë së shtetit ose asaj bashkiake, por pa specifikuar se si do të paguhet ajo.

Sipas udhëzimit, gjoba duhet të paguhet në të njëjtin moment kur shlyhet detyrimi i energjisë elektrike, në të kundërt ajo shkon me kamatëvonesat përkatëse në përputhje me kontratën e energjisë elektrike të miratuar nga enti rregullator i energjisë.

Mospagesa e gjobës, si pjesë përbërëse e faturës së energjisë, do të t’ju klasifikojë si debitorë të OSHEE.

Udhëzimi është botuar edhe në Fletoren Zyrtare dhe mban firmat e tre ministrave: asaj të shëndetësisë Ogerta Manastirliu, asaj të Financave Anila Denaj dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Balluku (kjo e fundit e vetëkarantinuar për shkak të infektimit me Covid-19).