I kishte shpëtuar drejtësisë italiane dhe jetonte mes luksit në një zonë bregdetare pranë Durrësit së bashku me familjen e tij. Por 12 vitet e arratisë kanë marrë fund ditën e sotme kur efektivë të policisë shqiptare, së bashku me ata të Interpol, arritën të lokalizonin dhe të finalizonin prangosjen e tij.

Kështu e nis lajmin për arrestimin e një shqiptari në kërkim agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Sipas medis përtej Adriatikut, bëhet fjalë për 55-vjeçarin Ilir Plaku, i cili ishte në kërkim nga autoritetet italiane që prej vitit 2009, i akuzuar për trafik narkotikësh dhe rezistencë ndaj një zyrtari publik. Ai ishte nën arrest shtëpie në Bracaleone nga ku edhe humbi gjurmët 12 vite më parë.

Gjykata e Apelit e Cagliari e ka dënuar Plakun me 5 vjet e 11 muaj burg, si pjesë e një grupi që trafikonte drogë dhe qenie njerëzore, veçanti në Sardenjë.

Përmes një monitorimi të gjerë të profileve në internet, hetuesit arritën të verifikonin se Plaku, së bashku me të afërm të tij, qëndronte në Shënavlash, pranë Durrësit.

Sipas ANSA-s, Plaku dukej se bënte një jetë luksoze në dritën për diell, mes udhëtimeve, darkave familjare dhe veshjeve të stilistëve.

Operacioni, i filluar disa ditë më parë, u zhvillua në bazë të indikacioneve të siguruara nga karabinierët e Compagnia di Bianco të cilët, përmes Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë të Departamentit Qendror të Policisë që i ofruan policisë shqiptare informacione precize.

Forcat e policisë shqiptare, nën koordinimin e Interpol, arritën të gjurmonin, lokalizonin dhe arrestonin të arratisurin.

/a.r,OraNews