Ditën e djeshme bëri bujë lajmi se një tjetër eksponent i rëndësishëm i LSI ishte larguar drejt PS.

Bëhet fjalë për avokatin Esmerald Xhafa, i cili ka zgjedhur të mohojë të gjithë këto lajme, teksa ka pranuar se ka pasur me strukturat përplasje parimore.

Ai ka thënë se ndryshimi nuk vjen me arrogancë, ndërsa ka theksuar se vijon të jetë pjesë e LSI në Korçë.

Më poshtë reagimi i plotë i Esmerald Xhafës:

Të dashur miq.

Në lidhje me lajmin për largimin tim nga Partia Levizja Socialiste për Integrim më duhet tiu sqaroj se:

Kam patur përplasje në lidhje me mënyrën e organizimit dhe të sjelljes para fushatës elektorale.

Diskutimet e mia kanë qenë parimore, dihet botërisht që unë kam qenë pjesë e anëtarësisë së LSI,dhe nuk kam qenë pjesë e strukturave drejtësuese të kësaj force politike.

Kam reaguar gjithmonë kur kam menduar se një veprim i caktuar ka qenë i gabuar si dhe kam ngritur zërin kundër çdo padrejtësie, kam protestuar,kam shprehur mendimin tim në çdo medium që kam patur mundësi të shprehem.

Mendoj se ndryshimi nuk vjen duke u sjellë arrogantë me strukturat dhe me ata të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për të rritur LSI që nga themelimi i saj deri më sot,si dhe nuk mendoj se duhet të vazhdojmë që të sillemi me votuesit si mbretër kur në fakt duhet të jemi shërbëtor i tij.

Nuk jam produkt i politikës dhe kurrsesi nuk mund të rri pa ngritur zërin kur mendoj se diçka është jo korrekte dhe në dëm të shoqërisë.

Një shprehje e popullit thotë: “Nëse nuk ta dëgjojnë fjalën atje ku je, është më mirë të largohesh”.

Vazhdoj të jem pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.