Kryeministri Rama dhe Ministrja Balluku në vend që të ulen në dialog për zgjidhjen e kërkesave të kontrollorëve të Rinasit,  zgjodhën ti shpallin ata “armiq të popullit” që u pinë gjakun shqiptarëve me rrogat e tyre të majme por që në fakt nuk kanë lidhje me buxhetin e shtetit dhe as taksat e shqiptarëve.

Eksperti i trafikut ajror, Dritan Goxhaj, i ftuar në Ora News, thotë se vetë Ministrja Balluku që ka drejtuar Albkontroll për 6 vite nuk është ankuar asnjëherë për pagën 6 mijë euro të saj, teksa shton se në fakt sot kontrollorët nuk marrin 2 milionë e 449 lekë siç pretendon Ministrja por 1.5 milion lekë.

Goxhaj: Ministrja e sotme ka qenë 6 vite drejtoreshë në këtë institucion dhe nuk është ankuar ndonjëherë për rrogën e saj 6 mijë euro por sot ankohet për rrogën e kontrollorëve që nuk marrin sa thotë Ministrja. Sot kontrollorët marrin 1.5 milion lekë të vjetra. Një kontrollor në Kosovë minimalja merr 4 mijë euro, në Serbi 5 mijë euro, kurse në Itali, në Bari, kontrollorët fillojnë nga 7 mijë euro. Në vendet e tjera më të zhvilluara fillojnë 8-9 mijë euro. Kontrollorët kanë disa nivele, nga niveli më i ulët te niveli më i lartë.

Për Goxhaj, show i një ditë më parë i qeverisë me polici dhe ushtri në Rinas ishte i panevojshëm dhe se ato që konsuiderohen fluturime të emergjencës, si rasti me vaksinat, mund të ishte realizuar edhe me kontrollorët që kanë shpallur paaftësinë pasi e kanë detyrim ligjor.

Goxhaj: Në këto momente hapësira jonë ajrore konsiderohet e mbyllur, nuk ka fluturime për dhe nga Shqipëria, nuk ka mbikalime mbi territorin e Shqipërisë. Duke qenë se kemi 5 kontrollorë që nuk kanë pranuar të firmosin paaftësinë ata mbajnë vetëm trafikun në rast emergjencash, trafik që mund ta mbanin edhe kontrollorët e tjerë që kanë shpallur paaftësinë për arsye se shpallja e paaftësisë nuk do të thotë braktisje e vendit të punës. Rregullorja për shpalljen e paaftësisë përcakton që kontrollori duhet të paraqitet në vendin e punës por nuk ofron shërbimin. Por në raste të emergjencës ai me ligj është i detyruar të ofrojë shërbimin, emergjencat humanitare dhe shëndetësore. Qeveria dje bëri një show, çoi policinë dhe ushtrinë dhe nuk i pranoi ata kontrollorë që shkuan të merrnin turnin të hynin dhe të qëndronin në kullën e kontrollit, të ishin prezent aty dhe emergjencat do të ndodhinin ashtu siç po ndodhin tani me vaksinat. Ata do ta bënin uljen pa problem.

Goxhaj thotë se është absurde të arrestosh dikë që proteston për të drejtat e tij.

Goxhaj: Kemi një kontratë që kompania në mënyrë të njënashme thotë nuk dua ta respektoj.Ti do të punosh për kaq sa them unë. Këtu kërkohet vetëm respektimi i kontratës, kontrollorët nuk kanë negociuar rrogë kur kanë hyrë në punë por e ka vendosur kompania. Respektimi i kontratës është respektimi i ligjit.

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Besjana Kuçana