Dy persona të moshave 32 dhe 62 vjeç humbën në aksidente rrugore në Pogradec  dhe Elbasan.

Në orët e para të mëngjesit 32-vjeçari Delor Latillari, baba i dy fëmijëve u përplas në aksin Korçë-Pogradec, teksa po udhëtonte me makinën e tij në afërsi të fshatit Vërdovë.

I riu u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore por nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

Policia vendosi në pranga drejtuesin e mjetit tjetër, 27-vjeçarin Enea Yzellari pasi dyshohet se është shkaktari i aksidentit.

Disa orë më vonë në qytetin e Elbasanit, një trailer ka përplasur 62-vjeçarin me iniciale V.M. pranë kryqëzimit të Cërrikut rreth orës 14:00.

Pavarësisht se ai u dërgua në spital nën kujdesin e mjekëve, 62-vjeçari ndërroi jetë disa orë më pas. Të paktën 12 persona kanë humbur jetën në rrugët e vendit përgjatë muajit shkurt, ndërsa janari u mbyll me 22 viktima dhe 143 të lënduar në gjithë vendin. Sipas të dhënave të policisë, në 80 % të rasteve fajtorët janë drejtuesit e mjeteve.