U arrestuan për korrupsion/ SPAK mbyll hetimet për ish-drejtorin e Tatimeve Korçë dhe vartësin e tij

U arrestuan për korrupsion/ SPAK mbyll hetimet për ish-drejtorin e

SPAK ka përfunduar hetimet paraprake në ngarkim të të pandehurit Thoma Tontonozi, ish Drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë dhe Stjuart Bardhoshi, ish punonjës në të njëjtën drejtori.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, të pandehurit Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi akuzohen për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 259 dhe 25 të Kodit Penal.

Sipas SPAK, "nga hetimet e kryera u provua se të pandehurit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të parregullta, me qëllim për të mos ushtruar kontrolle tatimore te subjektet private që ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Korçës.

Në datën 04.11.2020 çështja penale në ngarkim të të pandehurve Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar".

Dy të akuzuarit u arrestuan në gusht të këtij viti.

Hetimet për këtë procedim penal janë kryer nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Korçë, për një muaj nën drejtimin e Prokurorit të çështjes dhe gjatë finalizimit të operacionit. Gjatë operacionit për arrestimin janë gjetur dhe sekuestruar një sasi vlere monetare dhe dokumentacion që vërteton implikimin e dy punonjësve në veprimtari korruptive.

Këta shtetas kundrejt rryshfetit u premtonin disa subjekteve për të mos ushtruar kontroll të thelluar për konstatimin e shkeljeve apo shmangieve të detyrimeve tatimore.

Vendi Lajme SPAK Lajmi i fundit Kronike korce tatimet hetimet drejtori

EMISIONET