Klodian Gradeci, drejtori i Hidrokarbureve, i shpallur në kërkim për abuzimin 1.4 mln dollarë, është vetëdorëzuar.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Por sipas familjarëve të tij, Gradeci nuk është ndaluar nga policia por është vetëdorëzuar.

Pak ditë më parë në media u trumbetua me bujë një aksion i ndërmarrë nga Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim madje dhe me FBI-në që coi në pranga 5 zyrtarë të Agjensisë së Burimeve Natyrore, por që me një hije të fortë dyshimi për dekonspirim.

Kjo për faktin se personi më i kërkuar, pikërisht Gradeci, i akuzuari për abuzimin me 1.4 milionë dollarëve, arriti të arratisej nga Shqipëria vetëm pak orë para nxjerrjes së fletë-arresteve.

Sipas të dhënave në sistemin TIMS, Gradeci ishte larguar në drejtim të Turqisë, vetëm një ditë para se prokurori Julian Xhengo të firmoste fletëarrestet për 7 zyrtarë të AKBN-së, si dhe dy biznesmenë.

Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e kundraligjshme të punonjësve të saj, me në krye titullarin Klodian Gradeci, është 1.472.766 USD, të cilat më pas sollën dhe një ndjekje të çëshjet dhe nga hetues amerikanë.

Por kush është drejtori i AKBN, Klodian Gradeci?

Në detyrën e drejtorit të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Klodian Gradeci dha dorëheqjen pas skandalit me DH Albania, një kompani fantazmë e cila fitoi tenderin prej 12 milionë eurosh për linjën e transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi.

Kujtojmë që e njëjta kompani e cila falsifikoi dokumentet si e regjistruar në shtetin Delaware në Shtetet e Bashkuara dhe fitoi tenderin 20 milionë euro të Unazës së Madhe.

Pasi skandali mori përmasa të mëdha, Gradeci u largua nga detyra.

Edhe pse ishte person në hetim për skandalin, Gradeci u emërua në një tjetër detyrë të rëndësishme, tashmë si drejtor i AKBN.