Kompania Twitter bëri të ditur se do të fillojë etiketimin e llogarive të mediave të cilat janë “të lidhura me shtetin”. Gjithashtu ata do të ndërmarrin hapa të tjera për të kufizuar përhapjen e fushatave për ndikim, të udhëhequra nga qeveritë.

Gjigandi i mediave sociale bëri të ditur se do të shtojnë dhe etiketime në llogari.

“Për dallim nga media e pavarur, mediat e lidhura me shtetin, shpesh i përdorin këto llogari si një mjet për të përparuar një agjendë politike. Ne besojmë se njerëzit kanë të drejtë të dinë, kur një llogari është e lidhur direkt ose indirekt me një aktor shtetëror”, tha Twitter.

Njoftimi i Twitter vjen disa muaj pasi një veprim të ngjashëm e kishte marrë edhe kompania tjetër, Facebook, i cili filloi etiketimin e përmbajtjes nga media, politika editoriale e të cilave kontrollohet nga qeveritë.

Një etiketë u vendos në llogarinë në gjuhën angleze në Twitter, të mediumit RT, një rrjet televiziv i financuar nga qeveria ruse, i njohur më parë si Rusia Sot.