Gjigandi i mediave sociale Twitter, i vendosur nën presion në rritje për shkak të shkeljeve gjithnjë e më serioze të sigurisë,  emëroi të hënën si shef të sigurisë në internet një nga hakerat më të mirëvlerësuar në botë.

Ai do të trajtojë gjithçka, që nga hapat e gabuar të inxhinierisë deri te dezinformimi.

Peiter Zatko, i njohur gjerësisht me pseudonimin e hakerit “Mudge”, ka marrë një mandat të  gjerë për të rekomanduar ndryshime në strukturë dhe praktika. 

Ai do të raportojë drejtpërdrejt te CEO Jack Dorsey dhe pritet të marrë detyrën pas një periudhe informimi 45-60 ditë.

Në një intervistë ekskluzive, Zatko tha se do të shqyrtojë “sigurinë e informacionit, integritetin e faqes, sigurinë fizike, integritetin e platformës – e cila fillon të prekë abuzimin dhe manipulimin e platformës – dhe inxhinierinë”.

Kohët e fundit Zatko mbikëqyri sigurinë kibernetike të ndërmarrjes së re të pagesave elektronike Stripe dhe ka punuar më parë me Google dhe Agjencinë e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes të Pentagonit (DARPA).

Twitter përballet me sfida të shumta të sigurisë. Një vit më parë, qeveria amerikane akuzoi dy ish-punonjës të Tëitter për spiunim për llogari të Arabisë Saudite, duke thënë se ata kaluan së bashku informacione private në lidhje me kritikët e mbretërisë.

Në korrik, një grup hakerash të rinj mashtruan punonjësit dhe fituan aksesin në mjetet e brendshme, të cilat i lejuan ata të ndryshojnë cilësimet e llogarisë dhe më pas të bëjnë postime nga llogaritë e kandidatit të atëhershëm për president Joe Biden, themeluesit të Microsoft Bill Gates dhe Shefit Ekzekutiv të Tesla Elon Musk. 

Alex Stamos, ish-zyrtari kryesor i sigurisë në Facebook dhe studiuesi aktual i Stanfordit, i cili dikur ka punuar për konsulencën e sigurisë së Zatkos, e quajti atë një zgjedhje të shkëlqyeshme për një kompani që nuk ka muskujt financiarë të Facebook dhe Google. 

“Ata do të duhet të gjejnë zgjidhje kreative për këto probleme, dhe nëse Mudge është i famshëm për ndonjë gjë në siguri, është të qenit krijues.”