Turqia pritej të enjten të mbyllte misionin e saj kërkimor në Mesdheun Lindor, por anija “Oruç Reis” është vendosur të qëndrojë në det për 5 ditë të tjera.

Marina turke njoftoi se anija eksploruese do vazhdojë të kryejë analiza sizmike për rezervat e gazit në rajon bashkë me 2 mjete të tjera lundruese.

Zv.presidenti i Turqisë, Fuat Oktaj, tha se zbulimet për “arin blu” mund të shtrihen afër Kretës.

“Ne po veprojmë brenda shelfit tonë kontinental, ndaj po kemi ndërhyrje nga jashtë për një zonë që nuk mendojmë se duhet t’i marrim leje askujt. Eksplorimet ne mund t’i bëjmë ku të duam dhe do vazhdojmë ta bëjmë. Kemi marrëveshje me Libinë, dhe rajonet në jug të Kretës, janë pjesë e kësaj.”

Deklarata provokoi reagimin e palës greke, e cila të enjten njoftoi flotën e vet detare se veprimtaritë e Ankarasë janë të paautorizuara dhe të paligjshme.

Athina theksoi se operacionet turke po zhvillohen në zonën ekonomike ekskluzive greke dhe qipriote, midis ishullit të Rodit dhe Kastelorizosë.

Një ditë më parë, kryeministri i Greqisë, Qirjakos Micotaqis, bashkë me presidentët e Qipros dhe Egjiptit, dolën me një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Turqisë të ndalë veprimet në shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Në takimin tre palësh u ngrit shqetësimi se mobilizimi ushtarak në zonat detare po kërcënon stabilitetin, paqen dhe sigurinë në Detin Mesdhe.

Por akuzat nuk e bindën Ankaranë, që me anë të kryediplomatit të vet i mohoi ato dhe theksoi se problemet po i shkaktojnë tri shtetet me politikat e tyre maksimaliste dhe armiqësore, ndërsa Turqia do vazhdojë të mbrojë interesat sovranë të vendit dhe të Republikës Turke të Qipros Verior.

Bashkimi Europian i ka lënë Turqisë afat deri në muajin dhjetor për të ndryshuar qasjen ose e presin sanksionet.