Po rriten tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë në lidhje me sistemin kundërajror “S-400” që Ankaraja ka blerë nga Rusia.

Të premten presidenti Reçep Taip Erdoan konfirmoi se vendi ka nisur dhe do vazhdojë të testojë efikasitetin e armatimit raketor rus me gjithë rezervat e shprehura nga pala amerikane.

“Qëndrimi i Amerikës absolutisht nuk na shqetëson, as nuk kemi ndërmend t’i marrim leje. Nëse nuk i provojmë dot aftësitë e këtyre armëve, atëherë për çfarë na duhen? Kemi armatime të tjera të lehta, të mesme e të rënda, armë të blera në Amerikë, që edhe ato po i testojmë.”

Departamenti amerikan i Mbrojtjes reagoi duke akuzuar Ankaranë se po tradhton aleancën e NATO-s që ua ka ndaluar shteteve anëtare të posedojnë sistemin kundërajror “S-400”.

“Ne e dënojmë tërësisht testimin e 16 tetorit nga ana e Turqisë. Ai ka cenuar seriozisht raportet e sigurisë. Një sistem S-400 që është funksional shkel zotimet e Turqisë për të qenë aleate e Amerikës dhe e NATO-s,” deklaroi zëdhënësi i Pentagonit.

Ankaraja ka arritur marrëveshje me Rusinë për teknologjinë e avancuar raketore që në 2017-ën pasi sistemi amerikan ishte më i kushtueshëm ose nuk iu vu në dispozicion.

Për këtë veprim, Uashingtoni e ka kërcënuar me sanksione dhe ka refuzuar t’i shesë avionët e vet luftarakë “F-35” që mendohet se nuk i shpëtojnë dot sulmit nga raketat e fuqishme ruse.

SHBA-ja ka propozuar që Turqia t’ia shesë asaj teknologjinë ruse për ta shtendosur situatën, ndërsa Ankaraja ka deklaruar më parë se e ka të nevojshëm për t’u mbrojtur nga rreziqet në kufi me Sirinë.