A jemi ne shqiptarët një shoqëri e dhunshme?

Sociologu Gëzim Tushe në një intervistë me skype në studion e RTV Ora thotë: Jemi shoqëri e dhunshme mbi standardet  normale dhe kjo nuk është në nderin tone. Është turp i madh që të njihemi si njerëz që akoma kemi  nivele shumë të larta të dhunës, gati mesjetare mbi fëmijët, gratë dhe të moshuarit tanë.

Sa ka ndikuar kjo periudhë e vështirë e pandemisë së koronavirusit?

Gëzim Tushe per RTV Ora: Jeta në izolim për shkak të virusit, dhe pandemisë së zgjatur kanë rritur nervozizmin social. Kjo që po kalojmë nuk është forma më e mirë. Ne jemi përballë një fenomeni të paparashikuar, të një virusi që erdhi në mënyrë të menjëhershme e kërkon të bëjë ndryshim në mënyrë të menjëhershme. Por njeriu nuk mund të ndryshojë kaq shpejt.

Shqiptarët, për fat të keq – një pjesë e tyre, jo domosdoshmërisht të gjithë –  pjesën më të madhe të dëshpërimit, të frikës, të ankthit e shkarkojnë në familje, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta.

Kjo bën që meshkujt e disekuilibruar ca nga problemet e pandemisë, ca nga hudhja e busullës së orientimit të tyre social, ca nga përdorimi i lëndëve të tilla nga alkooli tek droga, bën që tensioni social në familje të rritet, të shtohen grindjet, konfliktet dhe më pas përfundojnë në dhunë. Ne, në përgjithësi si popull e kemi të vështirë të zgjidhim mosmarrëveshjet përmes tolerancës, mirëkuptimit, distancës. Ne marrim vrullë dhe tensionet i shkarkojmë me dhunë ose mbi fëmijët, ose gratë, ose mbi të moshuarit.”

Intervista ne studio me gazetaren Besmira Pelushaj