Turizmi patriotik ia doli të shpëtojë sezonin veror në Shqipëri. 1 milion turistë hynë vetëm nga Kosova nga janari deri në fund të gushtit, sipas të dhënave nga pikat kufitare duke i dhënë frymëmarrje sektorit jetik.

Tashmë që plazhet shqiptare janë vetem destinacione qetësimi për fundjavë, dhe sfida e radhës e shqiptarëve është të shpëtojnë sezonin turistik dimëror në Kosovë.

Rrahman Kasa: Bashkarisht e organizojmë këtë konferencë për promovimin e turizmit, për Kosovën tani në sezonin dimëror sepse Kosova njihet për potencialin e turizmit dimëror.

Objektivi i unioneve turistike në dy anët e kufirit mbetet krijimi i një tregu të përbashkët me 5 milion turistë.

Rrahman Kasa: Mundohemi të mbijetojmë, fatkeqësisht jemi vetëm, nuk kemi as mbështetjen e shtetit. Për këtë arsye jemi bashkuar, të bëjmë një treg mbi 5 mln që t’ja dalim  vetëm sepse nuk kemi ndihmë të madhe nga shteti apo një paketë ndihme financiare.

Pas tërmetit dhe mes pandemisë, ky mbetet një vit i vështirë për turizëm.

RTV Ora e Ora News në vazhdimësi ka qenë të angazhuar për promovimin e destinacioneve turistike dhe i ka dhënë zë shqetësimeve të biznesit që operon në këtë sektor.

Puna u vlerësua me mirënjohjen e operatorëve turistikë.

“Televizione që kanë kontribuar dhe kanë dhënë gjithçka për të promovuar turizmin.”

Kontributi i turizmit dhe udhëtimeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë pritet që të jetë 27,3% për vitin 2019, me rritje 5,2%  nga viti i shkuar.