Presidenti amerikan, Donald Trump u bëri thirrje amerikanëve që “të luten” për suksesin e administratës së re të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, gjatë një video-mesazhi lamtumirës, ku ai përmendi edhe ato që i cilësoi si suksese të mandatit të tij katërvjeçar si president.

“Këtë javë, ne inaugurojmë administratën e re dhe lutemi për suksesin e saj në mbajtjen e Amerikës të sigurt dhe prosperuese”, tha Trump më 19 janar, në videon e publikuar nga Shtëpia e Bardhë, vetëm një ditë para se ai të largohet nga zyra.

Presidenti republikan, nuk përmend fare emrin e rivalit të tij demokrat, Biden gjatë këtij adresimi.

Trump ka tentuar që të përmbysë rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke pretenduar, pa dhënë prova, se ka pasur mashtrime zgjedhore.

Pretendime të tilla janë hedhur poshtë nga disa gjykata amerikane dhe po ashtu, ekipi ligjor i presidentit ka dështuar edhe gjatë dërgimit të rasteve pranë Gjykatës Supreme.

Trump po ashtu ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Bidenit më 20 janar, që është prishje e traditës amerikane, ku transferimi paqësor i pushtetit është bërë përgjatë historisë së shtetit amerikan.

Ekipi i tranzicionit të Bidenit po ashtu është ankuar se ka pasur mungesë së bashkëpunimit nga ekipi i Trumpit.