Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump, një marrëveshje historike paqeje që do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme.

Sipas marrëveshjes, Izraeli pranon të pezullojë zbatimin e sovranitetit në zonat e Bregut Perëndimor për të cilat kishte diskutuar aneksimin, thanë zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja e paqes është produkt i diskutimeve të gjata midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat u përshpejtuan kohët e fundit, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.

Marrëveshja u nënshkrua përmes një telefonate të enjten mes Presidentit Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sheikut Mohamed Bin Zayed, princi i kurorës së Abu Dhabit.

Zyrtarët thanë se marrëveshja është e para e këtij lloji që kur Izraeli dhe Jordania nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1994.

Ajo gjithashtu shënon për Presidentin Trump një sukses në politikën e jashtme, ndërkohë që ai është në garë për t’u rizgjedhur më 3 nëntor.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se këshilltari i lartë i Presidentit Trump, Jared Kushner, ambasadori amerikan në Izrael David Friedman dhe i dërguari në Lindjen e Mesme Avi Berkowitz u përfshinë ngushtësisht në negociatat për marrëveshjen, po ashtu edhe Sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga të tre vendet thuhej se të tre udhëheqësit kishin “rënë dakord për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”.