Donald Trump nuk e përjashton mundësinë që të garojë sërish për president në vitin 2024.

Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë foli të dielën para simpatizantëve dhe pjesëtarëve të partisë për herë të parë që pas lënies së detyrës dhe gjyqit politik.

Në Konferencën Politike të Konservatorëve, Trump përsëriti se ai, faktikisht, do i kishte fituar zgjedhjet e vitit të kaluar nëse ato nuk do të ishin manipuluar.

“Ishte e turpshme, ndaj na duhet sakaq një reformë e re zgjedhore. Demokratët përdorën virusin kinez si pretekst për të ndryshuar rregullat e zgjedhjeve pa miratimin e organeve legjislative. Pra bënë diçka të paligjshme dhe kjo ndikoi shumë të zgjedhjet,” tha Trump.

74-vjeçari kritikoi drejtimin majtas që ka marrë vendi nën pushtetin e pasardhësit të tij, Joe Biden . 

Sipas Trump, politikat e demokratëve pro emigrantëve dhe qasja më socialiste ndaj shtetit po i dobëson pozitat e SHBA-së.

“Të gjithë e dinim se administrata Biden kishte për të qenë e keqe, por askush nuk e imagjinonte kaq keq, që do të shkonte kaq majtas,” tha ai.

Sondazhet tregojnë se ish-presidenti Trump gëzon ende mbështetje mes votuesve amerikanë.

Të dielën ai tha se nëse vendos të garojë përsëri për karrigen e kryeshtetarit, do të mbetet republikan.

“Thonë vazhdimisht se do formoj një parti të re. Por ne kemi Partinë Republikane, e cila ka për t’u bërë më e bashkuar dhe e fortë se kurrë më parë. Nuk do formoj parti të re. Nuk do i ndaj votat tona se ashtu nuk fitojmë asnjëherë. Ajo nuk na intereson,” deklaroi ish-presidenti amerikan.