Përplasjet politike para zgjedhjeve të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara pritet të arrijnë një tjetër nivel pasi gazeta Nju Jork Tajms, zbuloi se presidenti Donald Trump ka llogari aktive në bankat kineze.

Ky zbulim i gazetës vjen paralel me rritjen e retorikës kundër Kinës nga ana e Trumpit dhe akuzat që vetë presidenti i bën vazhdimisht rivalit Joe Biden dhe familjes e tij si të lidhur me biznese në Kinë.

Sipas gazetës, llogaria bankare në Kinë kontrollohet nga “Trump International Hotels Management” dhe të dhënat tregojnë pagesa taksash në vitin 2013 dhe 2015.

Një zëdhënës i presidentit tha se llogaria u hap për të parë mundësi të zgjerimit të biznesit të hoteleve të presidentit në Azi.

Presidenti Trump ka kritikuar vazhdimisht firmat amerikane që bëjnë biznes në Kinë dhe madje u përfshi vetë në një luftë tregtare me Pekinin.

Zbulimi i gazetës Nju Jork Tajms u bë nga shqyrtimi i dokumenteve të pagimit të taksave nga presidenti dhe të dhënat e tij financiare. Sipas dokumenteve mësohet se nga llogaria në bankat kineze janë paguar 188,561 dollarë taksa vendore.

Deri tani presidenti Trump ka refuzuar të publikojë të dhënat e tij të pagimit të taksave dhe vazhdimisht ka akuzuar djalin e rivalit të tij, Hunter Biden-in, si të lidhur me disa biznese në Kinë. Në fakt të dhënat e taksave që publikoi zoti Biden treguan se ai dhe familja e tij nuk kanë biznese në Kinë.

Zbulimi i gazetës Nju Jork Tajms për bizneset e presidentit Trump në Kinë vjen vetëm pak orë para debatit përfundimtar mes dy rivalëve.

Ndërkaq të dy kandidatët vazhduan fushatën zgjedhore. Presidenti Trump, mbajti së fundi një tjetër tubim në Pensilvani, njërin nga shtetet që konsiderohet kyç për fitoren e mandatit të dytë.