Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar Partinë Demokratike dhe kandidatin e tyre presidencial, Xho Bajden, si një parti radikalësh socialistë që kërcënojnë “ëndrrën amerikane”. Trump përmbylli Kuvendin kombëtar të Republikanëve me apel për optimizëm dhe patriotizëm.

Katër vite më parë, Donald Trump u zgjodh president i Amerikës me axhendën për ta shpëtuar vendin nga demoralizimi që e kishte kapluar prej vitesh nga demokratët në pushtet.

Të enjten mbrëma, para 1,500 personave të pranishëm përpara Shtëpisë së Bardhë, ai pranoi kandidimin për një mandat të dytë presidencial, këtë radhë për t’i dalë përpara kaosit dhe mungesës së rendit që po kërcënon vizionin dhe ëndrrën amerikane.

Dita e fundit e Kuvendit të Republikanëve iu kushtua mesazheve optimiste për të ardhmen por edhe rreziqeve që i kanos vendit rivali demokrat Xho Bajden, që po synon sërish zyrën ovale.

“Xho Bajdeni nuk është shpëtimtari i shpirtit të Amerikës. Ai është shkatërrimtari i vendeve tona të punës dhe po t’i jepet shansi, do të jetë edhe shkatërrimtari i madhështisë amerikane.”

Në fjalimin e tij 70-minutësh, presidenti Trump i cilësoi zgjedhjet e 3 nëntorit më të rëndësishmet në historinë e vendit.

“Votuesit asnjëherë nuk kanë pasur një zgjedhje më të qartë mes dy partive, dy vizioneve, dy filozofive dhe axhendave. Këto zgjedhje do vendosin a do e shpëtojmë ëndrrën amerikane apo do lëmë axhendën socialiste të rrënojë fatin tonë.”

Duke cituar oponentët politikë, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se Amerika nuk është vendi i korruptuar dhe i padrejtësive sociale dhe ekonomike që prezantojnë demokratët.

Trump adresoi edhe protestat e dhunshme kundër policisë dhe racizmit që po shkundin vendin.

Reforma e tyre revolucionare, shtoi ai, do sjellë në pushtet radikalët e majtë.

“Xho Bajdeni është i kali i Trojës i socializmit. Nëse Partia Demokratike do të përkrahë anarkistët, agjitatorët, vandalët dhe djegësit e flamujve, kjo është puna e tyre. Ne republikanët do jemi zëri i heronjve patriotë, për një vend të sigurt dhe duke nderuar flamurin amerikan.”

Edhe figura apolitike dhe familjarë të presidentit mbajtën fjalime të enjten, ndërsa jashtë kangjellave të Shtëpisë së Bardhë, qindra demonstrues kundër presidentit Trump u frynin bilbilave dhe u binin burive.

Me përfundimin e Konventës Republikane, qielli i Uashingtonit u ndriçua nga shfaqja piroteknike me fishekzjarrë, duke i hapur rrugë sprintit elektoral 10-javor për zgjedhjet presidenciale.