Alpinistja Arineta Mula po agjëron dhe vrapon nëpër pyje njësoj si më parë

Alpinistja Arineta Mula po agjëron dhe vrapon nëpër pyje

Kur bora mbuloi Kosovën, pak kohë më parë, Arineta Mula hoqi atletet dhe vrapoi zbathur, në shtigjet e natyrës, si çdo agim. Prej më shumë se gjashtë vitesh, ky është mëngjesi i saj i përditshëm, energjia që i duhet, pavarësisht çfarë i ndodh botës. E vijoji vrapin çdo ditë, bashkë me miqtë e saj që po shtohen çdo ditë, edhe në muajt e pandemisë, edhe në ditët më të ftohta të vitit. Po vrapon njësoj edhe tani që sapo ka nisur muaji i Ramazanit. Arineta agjëron, por mungesa e ujit apo ushqimit nuk është bërë asnjëherë pengesë në aktivitetin e përditshëm fizik.

“E mira e agjërimit, sipas asaj që tregojnë edhe studimet apo përvojat e sportistëve të tjerë nëpër botë që agjërojnë, është që, bashkë me ushqimin e panevojshëm, heq edhe toksinat që fusim çdo ditë në organizëm, sepse edhe ajo është lodhje që nuk e kuptojmë se si ia shkaktojmë trupit. Në ditët e Ramazanit ndihemi më të lehtë edhe nga pikëpamja fizike edhe nga ajo mendore. Ata që agjërojnë kanë më tepër kohë të mendojnë e të fokusohen te gjërat e rëndësishme, pa vrarë mendjen gjatë gjithë ditës se çfarë do të ha tani e çfarë do të ha pastaj!”.

Alpinistja Arineta Mula po agjëron dhe vrapon nëpër pyje

Për Arinetën ushqimi nuk është aq pengesë aq sa ç’është, në raste të caktuara, mungesa e ujit. Sidomos kur temperaturat rriten, megjithatë ajo, dhe të gjithë shokët e sportit, ia kanë dalë të jetojnë mirë pa të dyja gjatë muajit të shenjtë. Alpinistja nga Kosova që bashkë me Everestin ka ngjitur edhe maja të tjera malesh, ndër më të lartat e botës, nuk ndalet përpara asgjëje. Të gjitha aktivitetet e saj zhvillohen për të promovuar natyrën, shëndetin e mirë dhe fuqinë që kanë gratë për t’ia dalë!  Sa herë që njerëzit e pyesin nëse do të arrijë t’i bëjë të gjitha këto edhe gjatë ditëve të agjërimit, përgjigjja e saj është e thjeshtë, ‘do t’i bëjë edhe më lehtë se më parë”.

“Ndoshta, në pjesën e dytë të muajit të Ramazanit, gjërat mund të vështirësohen pak, por kjo varet krejtësisht nga përjetimi personal. Shpesh herë është aspekti mendor që i vështirëson gjërat, pra ajo çfarë i thua vetes! Uji është pak më problem se ushqimi por nuk është dhe shumë e vështirë. Ditët e fundit, ndoshta nuk do të mund të bëjmë distanca të gjata, për të mos e stërmunduar veten përpara garave që na presin”- tregon Arineta. 

EMISIONET