Udhëheqësit e Armenisë, Azerbajxhanit dhe Rusisë kanë nënshkruar një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit ushtarak mbi rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.

Por, kur të gjithë prisnin që kjo marrëveshje do të qetësojë rajonin, në Armeni shpërthyen trazirat.

Protestuesit kanë sulmuar ndërtesat qeveritare dhe parlamentin.

Njoftimi i 10 nëntorit për t’i dhënë fund luftimeve midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë përmes marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Rusia erdhi pasi forcat azerbajxhanase bënë përparime të mëdha në fushën e betejës, përfshirë raportet se këto forca po i afroheshin kryeqytetit të rajonit, Stepanakert.

Nagarano Karabaku njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por armenët etnikë që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë refuzojnë sundimin e Azerbajxhanit. Ata kanë qeverisur rajonin, me mbështetjen e Armenisë, që kur trupat e Azerbajxhanit u dëbuan nga rajoni në një luftë që përfundoi me një armëpushim në 1994.

Çfarë po ndodh në Armeni?

Armenia është përfshirë nga një krizë politike, pasi grupet opozitare po i bëjnë thirrje kryeministrit, Nikol Pashinian, që të japë dorëheqje, pas një nate të zemërimit si rezultat i marrëveshjes së arritur me Azerbajxhanin, me ndërmjetësim të Rusisë, për ndalim të luftimeve në rajonin e Nagorno Karabakut.

Në skenat kaotike të kryeqytetit të së martës në Jerevan, qindra mbështetës opozitarë kanë hyrë në selinë e qeverisë dhe parlamentit, duke thyer xhamat në shenjë pakënaqësie.

Kryetari i parlamentit, Ararat Mirzoyan është plagosur dhe është dërguar në spital. Dhjetëra protestues u përpoqën gjithashtu të hynin në zyrën e Radios Evropa e Lirë në Jerevan, duke e quajtur Shërbimin Armen “tradhtar”. Unioni i Gazetarëve të Armenisë dënoi me forcë sulmet dhe çdo kërcënim ndaj medias.

Zyra e presidentit të Armenisë, Armen Sarkisian ka thënë se do të nisë “konsultime politike” për të krijuar unitet politik dhe “për të koordinuar zgjidhjet që dalin nga agjenda jonë për mbrojtje të interesave kombëtare”.

Sarkisian ka thënë përmes një deklarate se ka mësuar për marrëveshjen për dhënien fund të luftimeve në Nagorno Karabak, përmes mediave.

“Fatkeqësisht, nuk ka pasur konsultime apo diskutime me mua, si presidenti i republikës sa i përket këtij dokumenti dhe unë nuk isha pjesë e negociatave”, ka thënë ai, duke insistuar se nënshkrimi i një dokumenti kaq të rëndësishëm do të duhej të bëhej subjekt i “konsultimeve dhe diskutimeve kuptimplota”.

Protestuesit janë mbledhur pasi kryeministri armen, Nikol Pashinian ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia, për t’iu dhënë fund gjashtë javëve luftime me Azerbajxhanin.

Pakënaqësitë e protestuesve kanë ardhur pasi 17 parti opozitare kanë kërkuar dorëheqjen e Pashinianit, duke përmendur humbjet ushtarake kundër forcave armene.

Sipas marrëveshjes, Azerbajxhani mund të zotërojë rajonet që tashmë kontrollon, derisa u bëhet thirrje forcave armene që të heqin dorë nga disa pjesë jashtë kufijve të Nagorno Karabakut.

/REL/