Për të dytën ditë me radhë këngëtarë e muzikantë protestuan kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e klubeve dhe ndalimin e muzikës pas orës 20:00. Ndërsa policia ka shoqëruar disa prej tyre me akuzën për grumbullim të paligjshëm.

Nën sloganin “Muzika nuk vret”, artistët janë mbledhur edhe të martën në protestë para Kryeministrisë.

Por sërish ata u ndaluan nga policia të protestojnë me argumentin se ndalohen grumbullimet në kohë pandemie.

Pas 12 të proceduarve mbrëmjen e të hënës, të tjerë muzikantë janë shoqëruar me makina policie, duke krijuar përplasje në rrugicën para kryesisë së Kuvendit.

I pranishëm në këtë tubim, kompozitori Robert Radoja e komentoi me ironi vendimin e fundit të qeverisë për ndalimin e muzikës pas orës 20:00.

Robert Radoja: Dola si të gjithë kolegët dhe studentët e mi që merren me muzikën dhe transmetojnë virus me tinguj. Është e palogjikshme dhe e pakuptishme. Gjithë ditën njerëzit qëndrojnë në kafe dhe dëgjojnë muzikë dhe nuk infektohen psa orës 20 të darkës infektohen.

Pjesë e protestës ishte edhe një nënë që kishte dy djem artistë, e cila ka debatuar me policët.

Ndërsa artistët e kanë cilësuar jonormale mbylljen e klubeve të natës, Policia i ka referuar materialet prokurorisë për të proceduarit për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.