Taulant alias Roland Luli, një person i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi dhe i arratisur në 22 mars 2013 nga burgu i Trikallasë, u dënua nga gjykata e Korçës, me 18 vjet burgim për akuzën e “Trafikimit të të miturve”, “Mbajtjes të armëve dhe municioneve pa lejë” dhe “Prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Luli, njihet në qarkun e Korçës si “i forti i Maliqit”, për shkak të shumë grabitjeve me armë që ka kryer në shtetin Helen dhe krimeve të tjera në zonën e banimit në Shqipëri.

Pas arratisjes nga burgu, Luli, i ka shpëtuar ndjekjes së policisë helene duke mundur të hyjë në territorin shqiptar, për të krijuar më pas një bazë qëndrimi nga ku drejtonte dhe aktivitetin kriminal të kultivimit të drogës dhe shfrytëzimit të prostitucionit në Greqi.


Lexo dhe: Rrëfimi i endacakut: Killeri i Behar Sofisë erdhi mori biçikletën poshtë urës së Lanës


Në momentin kur Luli është kapur nga agjentët e Policisë së Shtetit, atij i është sekuestruar në makinë një arsenal i madh me armë, si pistoletë me silenciator, granata dore dhe disa fishekë të kalibrave të ndryshëm. Vendimi për Roland Lulin, është marë pak ditë më parë nga gjykata e Korçës, e cila fillimisht dënoi Lulin me 27 vite burgim për 5 vepra penale, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai u dënua përfundimisht me 18 vite burgim.

Gjatë gjykimit të çështjes penale Luli së bashku me një shokun e tij Mirel Fasho, tentuan të trafikojnë në Greqi një vajzë 17-vjeçare, me qëllim shfrytëzimin e saj si prostitutë në zonën e Larisës dhe Selanikut.

Mirel Fasho, u dënua me 14 vite burgim për 3 vepra penale. Dënim për trafikim të vajzës së mitur morën dhe Ermal Basha 10.8 vite burgim, Lulzim Panxhi 10.8 vite burgim, Aleksandër Qosja 10 vjet burgim dhe Rezarta Mehmetllari me 8 vite burgim.

Gjithashtu, treshja gjykuese pranë gjykatës së Korçës vendosi të dënojë për “Prodhim dhe Kultivim të lëndëve narkotike”, të pandehurit e tjerë si Enerik Kalavari me 3.4 vite burgim, Besar Kalavari me 3 vjet e 4 muaj burgim, Ervin Kalari me 9 muaj burgim dhe Oldian Merdani me 8 muaj burgim.

Dënimet e gjykatës

  • Roland Luli 18 vite burgim
  • Mirel Fasho 14 vite burgim
  • Ermal Basha 10.8 vite burgim
  • Lulzim Panxhi 10.8 vite burgim
  • Aleksandër Qosja me 10 vite burgim
  • Rezarta Mehmetllari 8 vite burgim
  • Enerik Kalavari 3.4 vite burgim
  • Besar Kalavari 3.4 vite burgim
  • Ervin Kalari 9 muaj burgim
  • Oldian Merdani 8 muaj burgim