Në kuadrin e iniciativës #WomenMakeFilm së kanalit të mirënjohur amerikan TCM (Turner Classic Movies), filmi i njohur i ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, “Tomka dhe shokët e tij” do të transmetohet mbrëmjen e të martës, 20 Tetor në orën 9:15pm (ora lokale) edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Filmi i realizuar në vitin 1977, “Tomka dhe shokët e tij” do ti bashkohet një liste prestigjioze të filmave klasikë më të shquar të botës.

Ky prodhim i kinostudios “Shqipëria e Re” është një prej veprave më të dashura nga populli shqiptar, ashtu si edhe figura e regjisores së tij, Xhanfize Kekos. Filmi i saj është restauruar dhe pajisur me titra për transmetim ndërkombëtar prej kohësh por përfshirja e këtij filmi në historinë e kanalit TCM është vërtet arritje e madhe për kinematografinë shqiptare. 

Keko, regjisorja e shumë filmave të tjerë si të paharrueshmit “Mimoza llastica,” “Beni ecën vetë,” dhe “Taulanti kërkon një motër,” shquhet për bashkëpunimet e saj me aktorë të vegjël e jo-profesionistë, duke i dhuruar filmave të saj po aq çiltërsi sa edhe copëza të së vërtetës shqiptare të kohës. Filmat e saj prekin problematikat e kohës me një dorë të lehtë, prej këndvështrimit të çmuar por të rrallë-konsideruar të fëmijëve. Me filmat e saj, ajo i bashkohet regjisorëve të kinemasë franceze të viteve 50-të, si François Truffaut me “Les 400 Coups” apo Albert Lamorisse me “Le ballon Rouge.”

Ky event historik për kinematografinë shqiptare do të zgjasë vetëm një natë! Ndaj, lajmi duhet shpërndarë si me miqtë amerikanë ashtu edhe me ata shqiptarë të cilët jetojnë në Amerikë në mënyrë që sa më shumë njërëz të festojnë këtë ditë të shënuar për gratë, regjisoret, dhe kinematografinë shqiptare.