Në një intervistë për Ora News, zv. Ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini u shpreh se incidenca javore e virusit Covid-19 pas vendosjes së masave është e lartë, por e qëndrueshme.

Për Tominin, në vendin tonë dyshohet se kanë ardhur mutacionet e reja të Covid-19 duke thënë se kjo vërehet edhe nga infektimet e shumta dhe riinfektimet.  

Tomini: Situata po monitorohet në mënyrë shumë dinamika. Incidenca javore e virusit pas vendosjes së masave është e lartë, por e qëndrueshme. Në kuadër të vlerësimit të këtyre masave për pozitivitetin e hasjes së rasteve dhe hospitalizimet, mblidhet komiteti i ekspertëve. Është ulur fasha e moshës së infektimit duke prekur edhe moshat  e reja. Duke parë nivelin e transmetimit të virusit dhe prekjen e moshave të reja, mund të ketë gjasa që kemi të bëjmë me variantet e reja me Covid-19.

Sipas të dhënave të transmetueshmërisë dhe sinjaleve të laboratorëve të PCR-së janë vërejtur sinjale përkundrejt mostrave të testuara, edhe pse për mostrat e dërguara nuk kemi përgjigje akoma, dyshohet se kemi të bëjmë me këto variante të reja. Pavarësisht të qarkullimit të mutacioneve janë të njëjtat masa për grumbullimet dhe respektimin e masave të këshilluara. Të njëjtat masa qëndrojnë edhe përballë mutacioneve. Po ashtu, është vlerësuar se transmetueshmëria e mutacioneve është më e lartë. Ne kemi vlerësuar se të gjitha strukturat janë në gatishmërinë e duhur.

Tomini shtoi se në spitalet rajonale rreth 40% të kapaciteteve janë të ezauruara dhe se në spitalet e Durrësit dhe Shkodrës janë duke trajtuar njëlloj sikurse spitalet qendrore Covid.

Tomini: Në spitalet rajonale rreth 40% të kapaciteteve janë të ezauruara. Spitalet e Durrësit dhe Shkodrës janë duke trajtuar njëlloj sikurse spitalet qendrore Covid. Aktualisht objekti ynë nuk është për të imunizuar sa më shumë popullatën, por më shumë personalin mjekësor dhe imunizim pasiv përmes vaksinës. Ne besojmë se në 14 muaj do të kemi të kemi arritur një imunizim të popullatës në nivel kombëtar përmes fushatës së vaksinimit.