Tjetër tender i kuq i OST

Tjetër tender i kuq i OST

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka shënuar një tjetër tender me mungesë konkurence vetëm 13 ditë para zgjedhjeve parlamentare.

Bëhet fjalë për Rikonstruksionin e linjës 110 kv Ulëz-Burrel me fond limit 41.6 milionë lekë, ku në buletinin e publikuar të hënën, 12 prill, pjesëmarrëse në garën e hapur nga ndërmarrja e Skerdi Drenovës rezulton vetëm një bashkim operatorësh.

Duke qenë të vetmit garues, automatikisht ‘A&E’ shpk dhe Kuel shpk janë shpallur fitues me ofertën e paraqitur prej 41 milionë lekësh.

Tenderat e OST shpesh janë shoqëruar me flamurin e kuq nga Open Data për shkak të mënyrës së përzgjedhjes së fituesve.

Ndërkohë që nuk kanë munguar as rastet kur kriteret e tepërta apo skualifikimet e padrejta e kanë çuar ndërmarrja e Drenovës në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik.

Kjo e fundit i ka anuluar disa herë vendimet e OST-së duke i cilësuar si të padrejta. Së fundmi rezultojnë të paktën dy procedura që kapin vlerën e 658 milionë lekëve dhe që pritet të mbyllen njëra 1 javë, e tjetra katër ditë para votimeve.

Tenderat me vetëm një pjesëmarrës rezultojnë të jenë fenomeni i konstatuar më shpesh në ndërmarrjen e drejtuar nga Drenova pasi nga koha që ai është vënë në krye të këtij institucioni e deri në mars të këtij viti janë konstatuar të paktën 31 raste të tilla.

EMISIONET