Çmimi i qirave për banesa në Tiranë  ka pësuar një ulje deri në 15 për qind. Agjentët imobilarë thonë se kërkesat për shtëpi më qira janë shtuar për shkak të kthimit të studentëve në auditorë. Por gjatë kësaj periudhe vërehet një ulje e kërkesave për hapësira me qira për biznese.

Rikthimi i studentëve në auditorë ka bërë që edhe kërkesat për shtëpi me qira të rriten.

Kur kanë mbetur më pak se 15 ditë nga nisja e universiteteve, agjentët imobilarë thonë se zonat më të kërkuara janë ato pranë universiteteve. Ata pohojnë se çmimi ka pësuar një ulje 10-15%.

Aleks Pashaj: Zonat më të kërkuara janë zona e Inxhinierisë së Ndërtimit, Zogu i Zi që është kryesisht për studentët italianë, zona e Medresesë.Janë gjithmonë zona që kërkojnë afërsinë me universitetin.Krahasuar me një vit më parë, çmimet kanë një zbritje 10 apo 15% por gjithmonë te segmenti i apartamenteve nga 20-35 mijë lekë, ndërsa apartamentet luksoze nuk kanë ndryshime.

Por ndryshe nga shtëpitë, që më së shumti në këtë periudhë kërkohen nga studentët, kërkesat për ambiente për bizneset është e ulët.

Sipas agjentëve kjo lidhet me situatën pandemike që po kalon vendi dhe pasiguria që vjen prej saj.

Aleks Pashaj: Kërkesa ka rënë goxha, kjo vjen edhe si pasojë e pasigurisë për faktin ekonomik se çfarë do të ndodhë në ditët apo në muajt në vazhdim, ose dhe frika për një karantinë të dytë që do të ishtë një goditje shumë e fortë për bizneset.

Sipas përfaqësuesve të sektorit imobilar, pandemia nuk ka  pasur asnjë ndikim deri tani në shitjen e shtëpive.