Ka përfunduar pas gati 3 orësh mbledhja e Këshillit Politik, ku palët politike kanë diskutuar në lidhje me propozimin e opozitës jashtëparlamentare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Gjatë takimit ka pasur përplasje mes palëve, ku opozita kërkon hapjen 100% të listave dhe ekspertizë nga OSBE, kurse  Damian Gjiknuri e cilëson tentativë për zvarritje kërkesën e PD-LSI.

Pas mbylljes së tryezës, përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi u shpreh para mediave se, opozita i qëndron kërkesës së saj për t’iu drejtuar ODIHR për koalicionet.

“Opozita nguli këmbë në mbledhje që e vetmja pikë e agjendës të jetë nënshkrimi i përbashkët për kërkesën drejtuar OSBE/ODIHR për ndryshimin e rregullave themelore. Gjiknuri ngulte këmbë që të mbajë të pandryshuar qëndrimin e tij për të ndryshuar rregullat, ndërkohë që loja ka filluar. Opozita kërkoi me insistim që t’i drejtohemi ODIHR.

PS përsëri sot nënvizoi frikën e saj nga përgjigja që do të vijë nga ai që kemi pranuar të jetë arbitër të gjithë. Nëse PS nuk ndryshon qëndrim, bllokon funksionimin e Këshillit Politik, e për rrjedhojë edhe Reformën Zgjedhore, që është një nga kushtet për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Bylykbashi.